✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

“Duam të dimë çfarë ndodhi”/ Salianji viziton familjen e elektricistit të vdekur në Laknas

Ervin Salianji ka ngritur pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes së elektricistit Lutfi Elezaj në Laknas të Kamzës, duke kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur për zbardhjen e ngjarjes.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji bëri të ditur se ka vizituar familjen e të ndjerit në banesën e tyre në Laknas, ku ka takuar bashkëshorten dhe familjarët, të cilët kërkojnë të zbardhet e vërteta për vdekjen e tij.

Sipas Salianjit, vdekja e elektricistit është trajtuar si pasojë e një infarkti, por familjarët pretendojnë se ka ende rrethana të paqarta që kërkojnë verifikim.

Postimi i Salianjit:

A është vrasje vdekja e elektriçistit Lutfi Elezaj në Kamëz? Pse po mbulohet ngjarja?
Dëshmia rrëqethëse e bashkëshortes dhe familjarëve!
Sot shkova në Laknas për t’i dhënë zë një familjeje të thjeshtë, që më kontaktoi e dëshpëruar, pasi, sipas saj, i janë mbyllur dyert e institucioneve dhe çdo mundësi për ta bërë publike të vërtetën që kërkon.
Lutfi Elezaj i kushtoi 40 vite të jetës punës si elektricist. Sot, familja e tij kërkon përgjigje për vdekjen e tij në krye të detyrës, ndërsa rrethanat e ngjarjes ngrejnë pikëpyetje të rënda.
Familja kërkon të vërtetën, ndërsa pushteti duket se kërkon të mbyllë çështjen duke e shitur vdekjen si infarkt!
Dëshmia e bashkëshortes dhe familjarëve është rrëqethëse. Ata tregojnë për dyer të mbyllura, përpjekje për t’u mbyllur gojën me para nën dorë apo me premtime për vende pune.
Në vend që t’u japin përgjigje, t’i dëgjojnë dhe të hetojnë çdo dyshim, një familje që ka humbur njeriun e saj përballet edhe me përpjekje për ta heshtur.
Kjo është mënyra mafioze e qeverisjes: kur nuk japin dot përgjigje, përpiqen të blejnë heshtjen!
Nuk mund të trajtohet jeta e një njeriu si një dosje që mbyllet me një firmë. Nuk mund të blihet dhimbja e një bashkëshorteje dhe djemve te saj, një familjeje që kërkon të dijë çfarë i ndodhi njeriut të tyre.
Kush ka frikë nga e vërteta? Pse nuk u jepen përgjigje familjarëve? Çfarë po pengon zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje?
Kërkoj transparencë dhe hetim të plotë, të pavarur e të paanshëm për vdekjen e Lutfi Elezajt. Çdo përgjegjësi duhet të dalë në dritë dhe çdo tentativë për të penguar drejtësinë duhet të hetohet.
Sot i dhashë zë një familjeje që ndihet e braktisur. Nuk do ta lë vetëm!

Advertisement