Connect with us

Sport

U shpall i vdekur në dy spitale, futbollisti lëvizi në morg – Tani lufton për jetën

Një ngjarje e pazakontë dhe tronditëse ka përfshirë futbollin nigerian. Mbrojtësi Chinedu Ozor, lojtar i sapoafruar te Katsina United, u shpall i vdekur pasi humbi ndjenjat gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale kundër Niger Tornadoes.

Sipas raportimeve të mediave nigeriane dhe deklarimeve të përcjella nga klubi, futbollisti u dërgua fillimisht në një qendër mjekësore dhe më pas në një spital tjetër. Në të dyja rastet, raportohet se mjekët konstatuan vdekjen e tij dhe lëshuan dokumentacionin përkatës.

Pas këtij konfirmimi, trupi i Ozor u transportua në morg. Por pikërisht aty ndodhi e papritura: futbollisti shfaqi shenja jete dhe lëvizi dorën.

Personeli ndërhyri menjëherë dhe e riktheu atë në spital. Ozor ndodhet në terapi intensive në Spitalin e Përgjithshëm të Katsinës, ku po mbahet me oksigjen dhe mjekët po përpiqen të stabilizojnë gjendjen e tij.

Përpara se të mësohej se lojtari ishte ende gjallë, Katsina United dhe disa klube të tjera kishin publikuar mesazhe ngushëllimi. Njoftimet u bënë duke u mbështetur te konstatimet e marra nga strukturat shëndetësore.

Tashmë priten informacione zyrtare mbi gjendjen e futbollistit, shkakun e kolapsit dhe mënyrën se si ai u shpall i vdekur nga dy institucione mjekësore. Deri në publikimin e një raporti të plotë, rrethanat e këtij gabimi të rëndë mjekësor mbeten ende të paqarta.

 

Advertisement