Connect with us

Aktualitet

Luciano Bardhi: “Detox-i” i mëlçisë është marketing – ja çfarë ndodh realisht në organizëm

“Merrni këtë vitaminë për të pastruar mëlçinë”, “përdorni këtë mineral për detox” – janë disa nga këshillat që qarkullojnë vazhdimisht në rrjetet sociale. Por a “pastrohet” vërtet mëlçia në këtë mënyrë?

Sipas Luciano Bardhit, termi “detox i mëlçisë” përdoret më së shumti për qëllime marketingu. Procesi biologjik quhet biotransformim: mekanizmi përmes të cilit organizmi përpunon barna, substanca të huaja, përbërës ushqimorë dhe kimikate të ndryshme, duke i përgatitur për t’u eliminuar.

Në fazën e parë zhvillohen reaksione si oksidimi, reduktimi dhe hidroliza. Një rol të rëndësishëm luajnë enzimat e familjes citokrom P450, të vendosura kryesisht në retikulumin endoplazmatik të hepatociteve.

Në fazën e dytë ndodhin reaksionet e konjugimit, si glukuronidimi, sulfimi, acetilimi, metilimi dhe lidhja me glutationin. Përmes tyre, shumë molekula bëhen më polare dhe më të tretshme në ujë.

Faza e tretë lidhet me transportimin e këtyre substancave ose metabolitëve të tyre jashtë qelizave. Më pas, ato mund të eliminohen përmes veshkave dhe urinës ose të kalojnë në tëmth e më tej në zorrë.

Megjithatë, biotransformimi nuk e bën çdo substancë automatikisht të padëmshme. Në raste të caktuara mund të krijohen edhe metabolitë aktivë ose toksikë. Po kështu, jo çdo substancë kalon domosdoshmërisht nëpër të gjitha fazat dhe në të njëjtën renditje.

Për këtë arsye, produktet që reklamohen si “pastrues të mëlçisë” nuk duhet të paraqiten si zgjidhje të garantuara. Deri tani nuk ka prova bindëse që dietat apo kurat e përgjithshme “detox” largojnë toksinat nga organizmi. Kujdesi për mëlçinë lidhet kryesisht me shmangien e alkoolit të tepërt, përdorimin e kontrolluar të barnave, ushqyerjen e ekuilibruar dhe trajtimin mjekësor të problemeve konkrete.

 

Advertisement