Aktualitet
Pjesë këmbimi, çmime dhe “origjinale”, çfarë po blejmë realisht për makinat tona?
Në një magazinë pjesësh këmbimi mund të dëgjosh disa versione për të njëjtin produkt: “origjinale”, “OEM”, “gjermane”, “cilësi e parë”.
Pastaj vjen çmimi.
Për drejtuesin e automjetit problemi është se jo gjithmonë është e thjeshtë të kuptojë se çfarë ndryshimi ka mes produkteve që i vendosen përpara dhe çfarë po paguan realisht.
Dhe kur bëhet fjalë për frenat, drejtimin apo pjesë të tjera që lidhen me sigurinë e automjetit, kjo nuk është më vetëm çështje tregtie.
Është çështje sigurie.
Jo duke nisur nga pretendimi se produktet që shiten janë të këqija apo të falsifikuara.
Por nga një pyetje shumë më konkrete:
Kur një pjesë na shitet si “origjinale”, çfarë dokumenti ose elementi identifikues e provon këtë?
Për pjesët e sistemit të frenimit, për shembull, ekzistojnë standarde ndërkombëtare të përcaktuara nga Rregullorja nr. 90 e Kombeve të Bashkuara.
Rregullorja bën dallim mes pjesës origjinale dhe pjesës zëvendësuese të miratuar për përdorim. Për komponentë të caktuar parashikohen edhe elemente identifikimi dhe kërkesa teknike.
Pra “origjinale” nuk duhet të jetë thjesht një fjalë që rrit çmimin e produktit.
Ka edhe një element tjetër.
Administrata Doganore Shqiptare deklaron se kontrolli kundër mallrave të falsifikuara ka si qëllim, ndër të tjera, mbrojtjen e konsumatorit dhe të tregut vendas.
Doganat kanë raportuar edhe raste të bllokimit të mallrave të dyshuara si falsifikime apo me dokumentacion që nuk përputhej me deklarimin.
Por sa i ekspozuar është konkretisht tregu shqiptar i pjesëve të automjeteve?
Për këtë duhen të dhëna.
Ndërkohë do ta provojmë edhe nga ana e konsumatorit.
Do të zgjedhim një model konkret automjeti dhe një pjesë konkrete sigurie.
Do të kërkojmë të njëjtën pjesë në disa pika shitjeje dhe do të regjistrojmë çfarë na ofrohet:
prodhuesin, kodin e produktit, vendin e origjinës së deklaruar, çmimin, faturën dhe garancinë.
Më pas produktet do të verifikohen sipas kodeve dhe dokumentacionit të prodhuesve.
Vetëm pas këtij kontrolli mund të themi nëse ajo që na është deklaruar në banak përputhet me atë që kemi blerë.
Dhe faza tjetër do të jetë çmimi.
Jo krahasimi mes dy pjesëve të ndryshme që përshtaten në të njëjtën makinë.
Do të kërkojmë:
TË NJËJTËN MARKË. TË NJËJTIN KOD. TË NJËJTIN PRODUKT.
Dhe do të shohim sa kushton nga një tregtar te tjetri.
Sepse diferenca e çmimit, sado e madhe të jetë, nuk provon vetvetiu abuzim.
Por konsumatori duhet të dijë çfarë po blen dhe për çfarë po paguan.
Ky është vetëm fillimi.
PJESËT E KËMBIMIT NË SHQIPËRI: ÇFARË NA SHESIN DHE SA NA KUSHTON?