Connect with us

Kosova

MOS E LINI VERIUN VETEM/ VUÇIÇ I KËRKON NATO-S TË NDALË TËRHEQJEN NGA URA NE IBER

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar ndalimin e zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër.

Vuçiç pretendon se prania e KFOR-it në këtë pikë është e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti serb i kërkon NATO-s që, sipas tij, të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiç përmend një sërë akuzash ndaj institucioneve të Kosovës, duke folur për atë që ai e cilëson si “përndjekje dhe arrestime” të serbëve, si dhe për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër.

Presidenti serb paralajmëron se largimi i KFOR-it nga ura në këtë moment mund të rrisë tensionet në veri të Kosovës.

Sipas tij, një tërheqje e mëtejshme do të krijonte kushte për atë që e quan “përballje përfundimtare” me popullsinë serbe.

Vuçiç ka paralajmëruar gjithashtu se Beogradi do të vazhdojë betejën politike në të gjitha nivelet dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por tensionet nuk janë vetëm në nivelin politik.

Sipas Vuçiçit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, ka zhvilluar një bisedë të cilën presidenti serb e përshkroi si “shumë të vështirë” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Edhe përfaqësues të Listës Serbe kanë kundërshtuar zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.

Nga ana tjetër, NATO ka vlerësuar se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e makinave duhet “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me tërheqjen graduale të trupave të misionit të NATO-s në Kosovë nga ura kryesore mbi Ibër ditë më parë reagoi ministri në detyrë për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, që e cilësoi si lajm të mirë.

Ai tha se përveç largimit gradual të trupave të KFOR-it, do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës mbi këtë urë. Sipas tij, ky proces do të jetë afatshkurtër dhe do të ofrojë garanci për të gjithë se “hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”.

“Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publik, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vjet do të jetë një kujtim”, ka thënë Sveçla për transmetuesin publik të Kosovës më 10 gusht.

Ura e Mitrovicës ka qenë prej vitesh një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës.

Pas luftës së vitit 1999, Mitrovica mbeti e ndarë në veri dhe jug, ndërsa ura mbi Ibër u kthye në simbol të ndarjes dhe në një pikë të përsëritur tensionesh ndëretnike.

Pikërisht për këtë arsye, prania e KFOR-it në zonë ka pasur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë.

Tashmë, kërkesa e Vuçiçit ndaj NATO-s e rikthen çështjen e urës në qendër të debatit politik dhe të sigurisë.

Beogradi kërkon që KFOR-i të qëndrojë.

Prishtina përballet me një tjetër presion politik nga Serbia.

Dhe përgjigjja e NATO-s ndaj letrës së Vuçiçit pritet të tregojë nëse çështja e pranisë së KFOR-it në urën e Ibrit do të mbetet një debat diplomatik apo do të shndërrohet sërish në një pikë të nxehtë të sigurisë në Kosovë.

Advertisement