Kronike
‘Unë i kam dhënë ndihmën e parë’/ Vrasja e turistit, dëshmia e shokut: Njëri me flokë të gjata…
Ibraim Leimoeiv, një nga shokët që shoqërohej me portugezin, Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra në Ksamil, ka treguar detaje se si nisi e gjithë ngjarja. Sipas Ibraim Leimoeiv, ai dhe shokët e tij kanë qenë në klubin ‘Principote’ dhe po festonin dhe më pas kanë dalë dhe kanë shkuar tek shezlonget të gjithë së bashku.
Sipas deklaratës të tij, gjithçka nisi pasi ke shezlonget u shkoi një person i veshur me pantallona të shkurtra dhe një bluzë gri me mëngë të shkurtra, i cili fliste pak frëngjisht. Leimoeiv ka treguar se personi u kërkoi të qetësoheshin, ndërsa më pas i kërcënoi dhe i shau. Sipas tij, situata u përshkallëzua kur i dyshuari goditi me thikë shokun e tij, Tourpal.
Në dëshminë e tij, ai përmend edhe një person tjetër, të veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë, me flokë të gjata gështenjë dhe pak mjekër. Sipas Leimoeivit, ky person iu drejtua fillimisht Tourpalit me thikë dhe më pas Luis Miguelit. Pas përleshjes, Leimoeiv thotë se i ka dhënë ndihmën e parë shokut të tij, duke i vendosur një bluzë mbi plagë për të ndaluar gjakderdhjen.
“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt. Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.
Dëshmia e tij ngjason me atë të Adib Ghanmi, një tjetër francezi në grupin e tyre pasi thotë se një person ka ofenduar në frëngjisht nga nëna, shokun e tyre. Aty ka nisur konflikti ku u përfshinë dhe të tjerë, kur ai ka parë Sokrat Vatën të qëllojë me thikë dy prej tyre, siç pretendoi edhe Ghanmi.
Gjatë marrjes në pyetje, ai është pyetur nëse e njeh personin, i cili goditi me thikë. Në përgjigje, ai ka thënë që nëse e shikon mund ta dallojë dhe pasi i është vënë përpara fotoja e Sokrat Vatës, ai e ka njohur dhe ka deklaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij.