✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

PA LAPS, PA LETËR, PA TELEFON! Rregullat e rrepta për vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë

As vizita pranë bashkëshortes së sëmurë nuk e nxori Jakup Krasniqin nga regjimi i rreptë i sigurisë së Gjykatës Speciale. Gjatë katër ditëve të qëndrimit në Prishtinë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës iu nënshtrua 16 kushteve kufizuese, të propozuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në dokumentin e publikuar nga Dhomat e Specializuara bëhen të ditura rregullat që duhej të zbatoheshin gjatë gjithë vizitës. Prokuroria kishte kundërshtuar kërkesën që Krasniqi të qëndronte i lirë në banesën e tij me familjen, duke kërkuar mbikëqyrje të vazhdueshme.

Sipas kushteve, ai duhej të shoqërohej në çdo moment nga zyrtarët përcjellës dhe të qëndronte brenda fushëpamjes dhe dëgjueshmërisë së tyre. Nuk lejohej të qëndronte vetëm me asnjë person dhe jashtë kohës së vizitës duhej të rikthehej në paraburgim.

Lista e kufizimeve ishte edhe më e detajuar. Krasniqit nuk i lejohej të përdorte pajisje komunikimi, të mbante laps apo letër, të merrte ose dorëzonte sende dhe të takohej me persona që nuk ishin autorizuar paraprakisht.

Edhe komunikimi me publikun ishte i ndaluar. Krasniqi, familjarët dhe mbrojtësi i tij nuk duhej të informonin palë të treta për qëndrimin në Kosovë, të komunikonin me mediat apo të bënin deklarata publike për vizitën.

Prokuroria kishte kërkuar gjithashtu që ai të mos diskutonte çështjen gjyqësore me askënd, përveç avokatit të tij, të mos kishte kontakt me viktimat apo dëshmitarët dhe të mos ndërhynte në procedurat gjyqësore.

Një tjetër kusht i parashikuar ishte edhe ndërprerja e parakohshme e vizitës. Zyrtarët përcjellës kishin të drejtë ta përfundonin qëndrimin në Kosovë përpara afatit, nëse e vlerësonin të nevojshme për arsye sigurie.

Advertisement