Kronike
Shmanget tragjedia/ Pas konfliktit me fjalë me të riun, 53 vjeçari i shkon përballë me pistolete
Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mullet të Tiranës, pasi dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në ajër përballë një lokali, me qëllim kanosjen e një 23-vjeçari me të cilin ishte konfliktuar më herët.
Pas njoftimit të Policisë për të shtëna me armë zjarri pranë një lokali në fshatin Mullet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 mbërritën në vendngjarje dhe nisën verifikimin e rrethanave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Njoftimi”, policia arrestoi në flagrancë shtetasin F. Ç., 53 vjeç, banues në Mullet.
Sipas policisë, 53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar në ajër me një pistoletë, të cilën e posedonte pa leje, përballë lokalit ku ndodhej 23-vjeçari A. H. Dyshohet se veprimi ka ardhur pas një konflikti të mëparshëm mes tyre për motive të dobëta.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi armën e zjarrit dhe municionin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.