Bota
SHBA GODIT IRANIN, TEHERANI KERCENON
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përshkallëzohen sërish. Ushtria amerikane ka kryer sulme ndaj ishullit iranian Larak, pranë Ngushticës së Hormuzit, në një zhvillim që rikthen frikën për një përshkallëzim të ri ushtarak në një prej zonave më strategjike të Lindjes së Mesme.
Sipas një zyrtari amerikan, forcat e Shteteve të Bashkuara goditën dy sisteme iraniane për lëshimin e raketave. Objektivat, sipas të njëjtit burim, po përdoreshin ose po përgatiteshin për përdorim në një operacion që mund të përfshinte lëshimin e raketave të pajisura me mina detare drejt Ngushticës së Hormuzit.
Ky konsiderohet sulmi i parë amerikan ndaj një objektivi në territorin iranian pas më shumë se një muaji.
Shpërthimi u dëgjua edhe nga banorë të zonës. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars raportoi për një shpërthim pranë ishullit Larak gjatë së dielës.
Pozicioni i Larakut e bën zhvillimin veçanërisht të rëndësishëm. Ishulli ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme të globit, përmes të cilit kalon një pjesë e konsiderueshme e transportit ndërkombëtar të energjisë.
Uashingtoni ka deklaruar se mbrojtja e lirisë së lundrimit në këtë zonë mbetet një prioritet. Sipas administratës Trump, Komanda Qendrore e SHBA-së përfundoi javën e kaluar një operacion për pastrimin e minave detare nga korridoret ndërkombëtare të lundrimit në Hormuz.
Presidenti Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se Irani do të përballej me një reagim të menjëhershëm nëse do të vendoste mina të reja në këtë zonë. Një zyrtar amerikan tha se forcat amerikane po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për të garantuar qarkullimin tregtar dhe lirinë e lundrimit.
Por nga Teherani vjen një paralajmërim i fortë.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka deklaruar se do të kundërpërgjigjet ndaj sulmit. Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB, IRGC akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për goditjen e ishullit Larak.
Autoritetet iraniane pretendojnë gjithashtu se sulmi ka shkaktuar viktima dhe të plagosur mes forcave iraniane dhe civilëve, por deri tani nuk është bërë publik një bilanc i detajuar.
Ndërkohë, versionet e palëve për objektivat e goditura dhe pasojat e sulmit mbeten të ndryshme dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sulmi ndaj Larakut e vendos edhe një herë Ngushticën e Hormuzit në qendër të krizës. Çdo përshkallëzim në këtë korridor mund të ketë pasoja jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për transportin detar dhe tregjet ndërkombëtare të energjisë.