✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

EUROPA NË ALARM! Zjarre, thatësirë dhe temperatura ekstreme, fatura shkon në miliarda

Miliarda euro dëme, Europa përballet me faturën gjithnjë e më të rëndë të klimës

Vera e këtij viti po i kushton Europës miliarda euro. Valët e të nxehtit, thatësirat dhe zjarret masive kanë shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se kostoja ekonomike e katastrofave klimatike mund të fshijë edhe rritjen e brishtë të ekonomisë së BE-së.

Komisioneri europian për Klimën, Wopke Hoekstra, deklaron se qeveritë nuk mund ta trajtojnë më përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike si një shpenzim dytësor. “Nëse nuk veproni, do të paguani më shumë”, paralajmëroi ai.

Sipas Komisionit Europian, fatkeqësitë klimatike i kushtojnë aktualisht ekonomisë së BE-së rreth 1% të PBB-së. Kjo kosto mund të rritet në 2.3% deri në vitin 2050dhe të arrijë në 7% deri në fund të shekullit. Në vendet më të ekspozuara, humbjet e akumuluara mund të arrijnë në 7% të PBB-së vetëm gjatë periudhës 2026–2030.

Problemi është se Europa po shpenzon shumë më pak për t’u mbrojtur nga këto pasoja. BE-ja ka nevojë për rreth 70 miliardë euro në vit për masa përshtatjeje, ndërsa aktualisht investohen vetëm rreth 29 miliardë euro. Ndërkohë, dëmet vjetore ndaj infrastrukturës dhe pasurive materiale shkojnë në rreth 45 miliardë euro.

Mesazhi i Hoekstra-s është i qartë: investimi sot është më i lirë se rindërtimi nesër. Studimet tregojnë se investimet në përshtatjen klimatike mund të sjellin shumëfishin e kostos në përfitime dhe dëme të shmangura.

BE-ja po përgatit gjithashtu një kuadër të ri për qëndrueshmërinë klimatike, që pritet të përcaktojë standarde të përbashkëta, përgjegjësitë e qeverive dhe mënyrën se si rreziku klimatik do të përfshihet në investimet dhe politikat publike.

Por edhe masat aktuale nuk konsiderohen të mjaftueshme. Europa ka shtuar numrin e zjarrfikësve dhe kapacitetet për ndërhyrje ndaj zjarreve, ndërsa qindra ekipe mund të dislokohen me shpejtësi në zonat e rrezikuara.

Sipas Hoekstra-s, Europa nuk ka më nevojë për paralajmërime të reja. Ajo e di tashmë çfarë po ndodh dhe çfarë e pret.

Nëse qeveritë nuk investojnë sot për t’u mbrojtur nga klima, fatura e së nesërmes do të jetë shumë më e lartë.

Advertisement