Shkrime
Qokë humbësish/ Manjani shpërthen për Berishën: Nga gropa e PD drejt gropës së republikanëve në SHBA
Nga Ylli Manjani
Udhëtimi i Sali Berishës drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritet të marrë pjesë në një aktivitet politik të republikanëve në Teksas, është komentuar nga Ylli Manjani, i cili e sheh këtë lëvizje me skepticizëm dhe e analizon përtej debatit mbi vizën amerikane dhe statusin “non grata”.
Në shkrimin e tij, Manjani thekson se nuk dëshiron të ndalet te diskutimet nëse Berishës i është hequr apo jo “non grata”, nëse ka marrë vizë apo nëse ajo është dhënë për arsye politike apo shëndetësore.
Sipas tij, ky debat është i parëndësishëm krahasuar me çështjen kryesore që ngre vizita.
Manjani rikujton gjithashtu qëndrimin e tij kritik ndaj ndërhyrjeve amerikane në politikën shqiptare përmes shpalljeve “non grata”. Ai argumenton se as Berisha, as Partia Demokratike dhe, në përgjithësi, politikanët shqiptarë nuk janë konsideruar armiq të politikës amerikane.
“Prandaj ndërhyrjet amerikane në politikën shqiptare, përmes ‘non gratave’, më janë dukur gjithmonë të padrejta dhe krejtësisht joproporcionale”, shkruan Manjani.
Por autori thotë se këtë argument po e lë mënjanë dhe fokusohet te momenti politik në të cilin po zhvillohet vizita.
Sipas Manjanit, Berisha po udhëton drejt SHBA-së në një periudhë kur republikanët amerikanë, sipas tij, po përballen me një situatë të vështirë elektorale.
Ai e përshkruan me ironi këtë situatë, duke shkruar se Berisha po udhëton “nga gropa elektorale e Partisë së Tij Demokratike drejt gropës elektorale të aleatëve të tij amerikanë”.
Manjani ngre edhe pyetjen nëse vizita mund të lidhet me një lloj “shkëmbimi përvoje mbi humbjet” apo me një “qokë politike mes humbësish”.
Megjithatë, autori vlerëson se vizita nuk pritet të prodhojë ndonjë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë.
“Kjo vizitë nuk ngjall asnjë pritshmëri politike për Shqipërinë. Nuk sjell ndonjë zhvillim të ri në marrëdhëniet me SHBA, nuk ndryshon asgjë në opozitën shqiptare dhe nuk prodhon ndonjë interes publik real”, shkruan ai.
Në analizën e tij, Manjani e zhvendos vëmendjen edhe te aspekti praktik i udhëtimit, duke ironizuar debatin rreth vizës amerikane.
Sipas tij, kurioziteti i vetëm do të ishte nëse policia kufitare amerikane do ta njohë vizën e lëshuar nga konsullata amerikane në Tiranë. Pjesën tjetër të debatit ai e konsideron “më shumë spektakël rrjetesh sociale sesa politikë”.
Manjani sjell edhe një skenar alternativ që, sipas tij, do të kishte pasur më shumë peshë politike: Berisha të merrte vizën, por të vendoste të mos udhëtonte drejt SHBA-së, duke e shndërruar këtë në një akt simbolik kundër trajtimit që, sipas tij, i është bërë atij dhe opozitës shqiptare.
“Ky do të ishte një akt me peshë politike, qoftë edhe simbolike”, shkruan Manjani.
Në përfundim, autori e sheh vizitën e Berishës më shumë si një veprim simbolik sesa si një sukses politik.
“Deri në provën e së kundërtës, kjo vizitë më ngjan më shumë si një qokë humbësish sesa si një fitore politike”, shkruan Manjani.
Ai e përshkruan më tej si një “vizitë turistike, me justifikim mjeksor-politik, nëpër gropat elektorale të njëri-tjetrit”.
Në mbyllje, Manjani i uron Berishës “Rrugë të mbarë”, por shton me ironi se, sipas tij, republikanët amerikanë “sot duken në hall për vete”.