Connect with us

Aktualitet

Shporta ushqimore bëhet luks/ Pensionistët: Me pensionet nuk mbushim dot qesen

Tregu i shumicës në Korçë nis të gjallërohet që në orët e para të mëngjesit, por për shumë qytetarë, veçanërisht pensionistët, blerja e produkteve të përditshme është kthyer në një sfidë gjithnjë e më të madhe.

Frutat, perimet dhe produktet ushqimore po rëndojnë buxhetet familjare, ndërsa pensionistët shprehen se të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë për të përballuar çmimet. Shumë prej tyre thonë se tashmë detyrohen të zgjedhin vetëm produktet më të lira.

Një pensioniste që jeton në Greqi dhe ndodhet në Korçë për pushime thotë se ka vënë re një diferencë të konsiderueshme të çmimeve mes dy vendeve. Sipas saj, edhe pse të ardhurat në Greqi janë më të larta, çmimet në Shqipëri i janë dukur shumë të shtrenjta.

“Shumë të shtrenjta. Në krahasim me Greqinë janë shumë të shtrenjta dhe me rrogën që marrin. Bleva se jam e detyruar se më duhen. Pa ngrënë do rri?”, shprehet ajo.

Edhe pensionistë të tjerë në treg tregojnë se pensionet e ulëta nuk u lejojnë të blejnë sipas nevojave, por vetëm sipas çmimit.

“Ku i blejmë me këto pensione të pakta që janë? Vijmë, marrim ndonjë gjë, ndonjë domate të lirë. Ku i përballojnë dot?”, thotë një tjetër qytetar.

Por vështirësitë nuk janë vetëm në anën e konsumatorëve. Tregtarët raportojnë rënie të blerjeve, ndërsa përballen njëkohësisht me kosto të larta të prodhimit dhe çmime të rritura të inputeve bujqësore.

Kështu, në tregun e Korçës përplasen dy probleme: qytetarët me të ardhura të ulëta që nuk arrijnë të përballojnë shportën e përditshme dhe tregtarët që po shohin ulje të konsumit. Një situatë që tregon se për familjet më të prekura, ushqimet po zënë një peshë gjithnjë e më të madhe në buxhetin mujor

Advertisement