Connect with us

Shkrime

PROTESTA QE DITEN E PARE KA QENE FABRIKE DHUNE

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar për përshkallëzimin e protestave të “Flamingove”, duke e vendosur në qendër të debatit gjuhën e përdorur ndaj kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve.

Në një reagim të publikuar prej tij, Manjani argumenton se dhuna nuk nis domosdoshmërisht me përdorimin e forcës fizike, por shumë më herët, përmes fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes.

“Ka një të vërtetë të thjeshtë në teorinë e dhunës: ajo nuk fillon me armën. Fillon me fjalën”, shkruan Manjani.

Duke iu referuar ditëve të para të protestave, ai thotë se është përballur vetë me kritika pasi u është përgjigjur publikisht personave që, sipas tij, e kishin sulmuar me fyerje.

Manjani ironizon faktin se, në atë rast, kërkesa për etikë iu drejtua atij që po përgjigjej dhe jo atyre që kishin nisur sulmin verbal.

Sipas tij, ajo që fillimisht u prezantua si “revolucion i flamingove” nuk ishte një lëvizje e bazuar te idetë, por një protestë që, sipas tij, ka përdorur gjithnjë e më shumë gjuhën e dhunës.

“Që në ditën e parë kam thënë se ky nuk ishte revolucion idesh. Ishte një fabrikë dhune”, shprehet Manjani.

Ai rendit disa prej episodeve që, sipas tij, tregojnë përshkallëzimin e situatës: nga sharjet në rrjetet sociale dhe kërcënimet, te vezët, gurët, dëmtimi i automjeteve të policisë dhe automjeteve të deputetëve, si dhe bllokimi i rrugëve.

Manjani ngre edhe një tjetër problem, atë të mënyrës se si shoqëria shqiptare e përkufizon dhunën.

Sipas tij, në Shqipëri shpesh konsiderohet dhunë vetëm një veprim që shkakton dëmtime fizike.

“Shqiptarët, në shumicë, quajnë dhunë vetëm atë që lë gjak. Nëse nuk ka armë, nuk ka viktimë”, shkruan ai.

Por, sipas Manjanit, edhe fyerja dhe poshtërimi publik janë forma dhune.

“Sharja publike është dhunë. Poshtërimi sistematik është dhunë. Fyerja e organizuar është dhunë. Sulmi ndaj dinjitetit të njeriut është forma e parë e dhunës”, argumenton ai.

Manjani kritikon gjithashtu atë që e quan standard të dyfishtë në mënyrën se si interpretohen veprimet e protestuesve.

Sipas tij, sharjet ndaj qytetarëve janë cilësuar si aktivizëm, hedhja e vezëve si protestë, dëmtimi i makinave si revoltë qytetare, ndërsa përplasjet me policinë dhe bllokimi i rrugëve si forma të demokracisë.

“Si ka mundësi që gjithmonë gjendet një justifikim për dhunuesin?!”, pyet Manjani.

Ai sjell në vëmendje edhe rastin e Iris Luarasit, duke pyetur nëse duhet të ndodhë një tjetër incident fizik që shoqëria të kuptojë se dhuna nis shumë më herët se përplasja fizike.

Sipas tij, nuk duhet të ketë dallim mes qytetarit të zakonshëm dhe një politikani kur bëhet fjalë për dinjitetin.

“Nuk ka asnjë arsye që qytetari i zakonshëm të ketë më pak dinjitet se një deputet, një ministër apo një figurë publike”, shprehet ai.

Në fund, Manjani rikthehet te qëndrimi i tij për fyerjet publike, duke përdorur një shprehje që e përsërit disa herë në reagimin e tij:

“Kush më shan, është i sharë!”

Ai thotë se nuk pranon leksione etike nga ata që, sipas tij, përdorin fyerjet, linçimin dhe kërcënimet si mjete politike.

Në përfundim, Manjani e cilëson “revolucionin e flamingove” si një lëvizje që, sipas tij, nuk dështoi për mungesë idesh, por sepse zgjodhi dhunën si gjuhë.

“Dhuna nuk është vetëm plumbi. Dhuna është edhe fjala që përgatit plumbin”, përfundon Ylli Manjani.

Advertisement