Connect with us

Politike

Gjermania i hap derën Shqipërisë në BE, por vendos kushtin

Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por thekson se ritmi i negociatave do të varet nga zbatimi i reformave. Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, vlerëson përparimin e bërë deri tani, por nënvizon se forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe miratimi i reformave të rëndësishme mbeten vendimtare për rrugën e vendit drejt BE-së.

Intervista e plotë

DW: Zoti Ambasador, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Karl BergnerShqipëria dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë në fusha të ndryshme politike, përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë. Si vende evropiane dhe partnere në NATO, përballemi me të njëjtat sfida që burojnë nga ndryshimet në rendin botëror dhe nga kërcënimi që paraqet lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. 

Një peshë të konsiderueshme ka edhe bashkëpunimi ekonomik. Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë dhe synon të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë përmes forcimit të infrastrukturës (furnizimit me ujë dhe energji, trajtimit të ujërave të ndotura dhe menaxhimit të mbetjeve) si dhe përmes mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në qytete dhe, në një masë edhe më të madhe, në zonat rurale. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh, punojmë për të luftuar ndryshimet klimatike përmes gjelbërimit të ekonomisë, si dhe për të mbështetur vendin në përshtatjen ndaj kushteve gjithnjë e më ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Në Gjermani po rritet interesi për Shqipërinë, veçanërisht si destinacion turistik. Në të njëjtën kohë, diaspora shqiptare në Gjermani po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Mes saj ka një numër sipërmarrësish krijues dhe të suksesshëm, të cilët po ndërtojnë ura të reja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Të dyja këto prirje forcojnë lidhjet mes qytetarëve të dy vendeve tona dhe i japin një shtysë marrëdhënieve tona ekonomike dhe kulturore.

DW: A i mbështet Gjermania ambiciet e Shqipërisë dhe vendeve fqinje për t’u anëtarësuar në BE? Sa realist e konsideroni synimin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027?

Karl Bergner: Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Për këtë arsye, ne e mbështesim fuqimisht anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i kahershëm i Gjermanisë është se anëtarësimi në BE i të gjitha vendeve kandidate duhet të bazohet në meritë. Për rrjedhojë, afatet varen nga shpejtësia dhe tërësia e reformave të tyre. Në këtë kontekst, ne e njohim ambicien e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, vendi ka bërë përparim të prekshëm, ndërkohë që mbeten ende detyra të rëndësishme.

Përveç përmirësimit të jetës së përditshme të shumë shqiptarëve, asistenca e gjerë teknike dhe financiare e përmendur më sipër synon gjithmonë të mbështesë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo shtrihet nga financimi i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në një sërë qytetesh shqiptare (si parakusht për kapitujt që lidhen me mjedisin) deri te mbështetja e ministrive të ndryshme për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Por, në fund, vendimtare është vendosmëria e Shqipërisë për t’i ndërmarrë dhe zbatuar këto reforma, edhe kur ato janë të vështira apo prekin interesa të rëndësishme ekonomike.

Një shembull është miratimi i një ligji të unifikuar për investimet, në vend të ligjit aktual për investimet strategjike. Shqipëria është zotuar në Agjendën e saj të Reformave që ta bëjë këtë deri në fund të këtij viti, ndërsa Parlamenti Evropian, në rezolutën e tij të fundit, ka përsëritur kërkesat e mëparshme të BE-së. Sipas meje, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për të garantuar transparencën dhe kushte të barabarta konkurrence për të gjitha bizneset.

Arritja e objektivit të anëtarësimit në BE varet gjithashtu nga aftësia e administratës publike, por edhe e komunitetit të biznesit, për të përvetësuar standardet e BE-së. Fakti që Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë tregon edhe njëherë për angazhimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar Shqipërinë në çdo hap të rrugëtimit.

DW: Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare. Cilat janë pritshmëritë konkrete të Gjermanisë nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri për dy vitet e ardhshme?

Karl Bergner: Një shtet i fortë i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në themel të vlerave evropiane. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një faktor kyç që ka mundësuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për të ardhmen, Shqipëria është zotuar për reforma të mëtejshme që lidhen me shtetin e së drejtës.

Ky ka qenë fokusi kryesor i Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE prej shumë vitesh dhe i tillë do të mbetet. Ne besojmë se Shqipëria do të vazhdojë dhe do të shtojë përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të përmendur disa nga fushat më të rëndësishme. Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton: si BE-ja, ashtu edhe qytetarët shqiptarë presin të shohin ndryshime reale dhe të prekshme në praktikë, si dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme në administratën publike dhe institucionet e pavarura./DW

Advertisement