Thinking ...
Connect with us

Politike

“Akt kriminal, jo lajthitje”/ Koçiu reagon për alarmin e rremë në shkollën “Emin Duraku”

Zv.kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas alarmit të rremë për bombë në shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, ngjarje për të cilën u arrestua Mandi Jatagani.

Koçiu e cilësoi rastin si një “çmenduri të mirëfilltë kriminale”, duke theksuar se një alarm i tillë nuk mund të trajtohet si shaka apo si një veprim i rastësishëm, veçanërisht pasi ndodhi në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kur ambientet e shkollës ishin të mbushura me fëmijë.

Sipas saj, një alarm i rremë për bombë nuk përbën as një test për Policinë e Shtetit dhe as një lajthitje të momentit, por një veprim që duhet të përballet me përgjegjësinë ligjore.

“Një alarm i rremë për bombë në një shkollë në Tiranë, ditën e parë të mësimit, kur oborret janë të mbushura plot me fëmijë, nuk është një shaka e hidhur, nuk është një test cinik për reflekset e Policisë së Shtetit dhe as një lajthitje e rastësishme e një mendjeje të papjekur, por një çmenduri e mirëfilltë kriminale”, u shpreh Koçiu.

Ajo kritikoi gjithashtu përdorimin e hapësirës publike për veprime që, sipas saj, cenojnë sigurinë dhe nxisin panik, duke kërkuar që ndaj këtyre sjelljeve të ketë reagim të qartë ligjor dhe shoqëror.

Mandi Jatagani u arrestua pasi njoftoi për një bombë në shkollën “Emin Duraku”. Pas kontrolleve të kryera nga njësia antieksploziv, rezultoi se nuk kishte asnjë rrezik real.

Advertisement