Thinking ...
Connect with us

Politike

Shehaj ndez motorët për zgjedhjet 2027: Mundësia hap dyert për shqiptarët

Partia Mundësia do të garojë me kandidatët e saj në zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2027. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj force politike, Agron Shehaj, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale.

Shehaj u ka bërë thirrje qytetarëve që duan të kontribuojnë në jetën publike dhe të përfaqësojnë komunitetet e tyre që t’i bashkohen Partisë Mundësia.

“Kushdo nga ju që do të përfaqësojë në mënyrë të ndershme, besnike dhe me dinjitet komunitetin e tij, qytetin e tij në Këshillin Bashkiak, është i ftuar t’i bashkohet Partisë Mundësia”, u shpreh Shehaj.

Kreu i kësaj force politike tha se kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe se strukturat e partisë janë mobilizuar për garën elektorale.

Sipas Shehajt, synimi është që Partia Mundësia të ketë përfaqësues në çdo Këshill Bashkiak në Shqipëri. Ai theksoi se partia mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të angazhohen në politikë dhe të përfaqësojnë qytetarët.

“Zgjedhjet vendore po afrohen! Partia Mundësia do të ketë për herë të parë anëtarë në çdo Këshill Bashkiak në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Shehaj.

Ai shtoi se numri i përfaqësuesve që partia do të ketë në këshillat bashkiakë do të varet nga puna e strukturave dhe mbështetja që do të marrë në zgjedhje.

Advertisement