Politike
Pagat e magjistratëve/ Bardhi sfidon mazhorancën: Ligji do të rrëzohet sërish
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kundërshtuar nismën e mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar atë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Bardhi paralajmëroi se ligji do të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, do të rrëzohet për shkak se nuk reflekton vendimin e mëparshëm të saj.
Bardhi argumentoi se paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të garantojë integritetin dhe pavarësinë e tyre, duke sjellë në vëmendje edhe rritjet e pagave të deputetëve, kryeministrit dhe ministrave.
Sipas tij, funksionarët politikë përfitojnë edhe nga shpenzime të tjera të mbuluara nga shteti, ndaj pagat e magjistratëve nuk mund të krahasohen me ato të deputetëve apo ministrave.
Kreu i grupit të PD-së deklaroi se gjyqtarët duhet të kenë një nivel page më të lartë edhe se funksionarët e tjerë të lartë të shtetit, duke e lidhur këtë me përgjegjësinë që mbajnë në përballjen me krimin dhe vendimmarrjen për dënime të rënda.
Bardhi theksoi se reforma në drejtësi synonte forcimin e integritetit të sistemit dhe se magjistratët nuk duhet të trajtohen si përfitues të një pagese të dhënë si “lëmoshë”.