Politike
Veliaj mbetet në burg/ Avokati Ndreca shpërthen: Vendim shqetësues
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në një reagim publik, Ndreca e cilëson vendimin shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike dhe respektimin e të drejtave themelore. Sipas tij, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi një vendimmarrje që, në pretendimin e mbrojtjes, bie ndesh me një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Avokati deklaron se mbrojtja do të analizojë arsyetimin e plotë të vendimit, ndërsa ngre pikëpyetje mbi efektin e vendimeve kushtetuese nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
Ndreca e lidh gjithashtu masën e arrestit me ushtrimin e mandatit të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai pretendon se prej 19 muajsh qytetarët e kryeqytetit janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur me votë.
Sipas avokatit, Veliaj vijon të prezumohet i pafajshëm dhe ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet kanë përfunduar prej rreth një viti dhe çështja ndodhet tashmë në fazën e gjykimit.
Në fund të reagimit, Ndreca paralajmëron se mbrojtja do të vijojë betejën ligjore dhe do të përdorë të gjitha mjetet që parashikohen nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.