Thinking ...
Connect with us

Politike

Gogu sfidon debatin për pagat: Vonesa e Kuvendit nuk justifikon shkeljen e Kushtetutës

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar lidhur me debatet për pagat e gjyqtarëve, duke pranuar se Kuvendi nuk ka respektuar afatin e 31 korrikut për ndërhyrjet e kërkuara në kuadër të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gogu deklaroi se vonesa e Kuvendit nuk mund të përdoret si argument për cenimin e parimit të ndarjes së pushteteve. Sipas tij, çështja kryesore nuk është përcaktimi i shumës që duhet të përfitojë një gjyqtar, por institucioni që ka kompetencën për ta vendosur atë.

“Pyetja nuk është sa duhet të marrë një gjyqtar. Pyetja është kush e vendos sa merr. Dhe përgjigjen nuk e jap unë. E jep vetë vendimi që kërkohet të zbatohet: paga caktohet me ligj”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të shndërrohet në një kompetencë që mund ta ushtrojë një institucion tjetër. Sipas Gogut, përcaktimi i shifrës, metodologjisë së pagave dhe vlerësimi i kostove financiare i takojnë Ministrisë së Financave, ndërsa përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë është që zgjidhja të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe e zbatueshme në praktikë.

Ministri argumentoi se tejkalimi i afatit përbën një shkelje, por nuk duhet të çojë në ndryshimin e kompetencave kushtetuese të institucioneve.

Në fund, Gogu kërkoi që debati për pagat e gjyqtarëve të mos ndikojë te punonjësit e administratës gjyqësore, duke theksuar se pagat e tyre nuk duhet të varen nga kjo mosmarrëveshje.

Advertisement