Politike
Rama uron Kurtin për mandatin e ri: Të përshpejtojmë rrugën drejt BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka përcjellë urimet Albin Kurtit për mandatin e ri qeverisës në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për vijimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në mesazhin e tij, Rama theksoi se bashkëpunimi duhet të vijojë në të gjitha nivelet dhe fushat, me synim përshpejtimin e rrugëtimit të përbashkët drejt integrimit evropian.
Kryeministri shqiptar nënvizoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të miratuara mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa kërkoi edhe shqyrtimin e projekteve të reja në sektorët me interes për të dyja vendet. Sipas Ramës, këto angazhime synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Rama ka ftuar gjithashtu Kurtin për një vizitë në Shqipëri.
Urimi i Ramës vjen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të qeverisë së re. Kuvendi u konstituua pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe komuniteteve pakicë, ndërsa më pas u votua edhe Qeveria e re.
Procesi u shoqërua me mungesën e PDK-së, e cila nuk mori pjesë në seancë. Edhe Aleanca dhe LDK-ja braktisën seancën e votimit të qeverisë.