Thinking ...
Connect with us

Politike

Narkotrafiku shqiptar në Kongresin e SHBA/ Wilson kërkon llogari nga administrata Trump

Shqipëria është vënë në fokus të një dëgjese në Kongresin amerikan, ku janë ngritur shqetësime për korrupsionin, krimin e organizuar, integritetin e zgjedhjeve dhe trafikun e narkotikëve.

Kongresisti republikan Joe Wilson e drejtoi pyetjen te administrata e presidentit Donald Trump, gjatë dëgjesës së Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi politikën amerikane dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Wilson deklaroi se, sipas raportimeve që ai kishte marrë në konsideratë, korrupsioni, krimi i organizuar dhe integriteti i zgjedhjeve në Shqipëri po ndikohen nga qeveria e Edi Ramës. Ai përmendi gjithashtu pretendimin për nxitjen e krijimit të një karteli të narkotrafikut.

Kongresisti amerikan kërkoi të dinte konkretisht se çfarë po bën administrata Trump për t’iu përgjigjur trafikut të narkotikëve që lidhet me Shqipërinë.

Përgjigjja erdhi nga Daniel J. Lawton, Zëvendësndihmës Sekretar amerikan i Shtetit.

Lawton konfirmoi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë bashkëpunimin me autoritetet shqiptare për goditjen e organizatave kriminale transnacionale që veprojnë nga Shqipëria.

Sipas tij, këto organizata kanë lidhje ndërkombëtare, përfshirë edhe me kartele në Hemisferën Perëndimore.

Por në përgjigjen e tij, zyrtari amerikan veçoi edhe SPAK-un, duke dhënë një vlerësim pozitiv për punën e Strukturës së Posaçme në trajtimin e disa prej problematikave të ngritura gjatë dëgjesës.

“SPAK ka qenë relativisht efektiv”, deklaroi Lawton, duke nënvizuar rolin e institucionit shqiptar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dëgjesa në Kongres tregon se lufta kundër organizatave kriminale transnacionale mbetet një prej çështjeve të sigurisë që Uashingtoni po ndjek në Ballkanin Perëndimor, ndërsa deklaratat e Joe Wilson vendosin në qendër të debatit amerikan edhe situatën politike dhe institucionale në Shqipëri.

Advertisement