Thinking ...
Connect with us

Politike

81 vite burg për ish-krerët e UÇK-së/ Berisha: Festë në Beograd

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka nisur mbledhjen e grupit parlamentar duke reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.

Berisha e cilësoi vendimin si një ditë të rëndë për shqiptarët dhe familjet e ish-drejtuesve politikë të UÇK-së. Sipas tij, trupi gjykues i shkallës së parë nuk ka arritur të argumentojë në mënyrë konkrete akuzat dhe ka dhënë dënime që ai i konsideron të pajustifikuara.

Kreu i PD-së deklaroi se vendimi është pritur me festime në Beograd dhe e lidhi këtë me pretendime që, sipas tij, janë përsëritur prej vitesh nga propaganda serbe. Berisha tha se, pavarësisht vendimit të Gjykatës Speciale, lufta e UÇK-së dhe roli i saj në çlirimin e Kosovës nuk mund të zhbëhen.

Ai shprehu gjithashtu mbështetjen e Partisë Demokratike për luftën çlirimtare të Kosovës dhe deklaroi se shpreson që vendimet të shqyrtohen në apel.

Berisha hodhi akuza të tjera lidhur me procesin gjyqësor, duke përmendur edhe pretendimet për trafikim organesh, të cilat i cilësoi si të pabazuara.

“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë, në emër të së drejtës ndaj ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së. Me këtë rast, festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta, por asgjë nuk mund të errësojë luftën e UÇK-së”, deklaroi Berisha.

Advertisement