Politike
“Ditë e trishtuar për shqiptarët”, Meta i zemëruar për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, duke e cilësuar këtë si një ditë të trishtuar për shqiptarët.
Në reagimin e tij, Meta shprehet se lufta e Kosovës për çlirim, sipas tij, duhet të kujtohet si pjesë e historisë së çlirimit të vendit dhe kundërshton dënimet e dhëna nga Gjykata Speciale.
Meta është ndalur veçanërisht te dënimi i Jakup Krasniqit me 25 vite burgim. Ai e cilëson vendimin si absurd dhe politik, ndërsa e krahason dënimin e Krasniqit me atë të ish-komandantit serb Ratko Mlladiç.
Ish-presidenti argumenton se roli i drejtuesve të UÇK-së është përcaktuar nga historia dhe se vendimet gjyqësore nuk mund të ndryshojnë, sipas tij, faktin e pavarësisë së Kosovës.
“Ditë shumë e trishtuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Lufta e shkëlqyer e Kosovës për çlirim meriton vetëm piedestalin e krenarisë patriotike dhe jo bankën e akuzës dhe dënime absurde, qartazi politike”, shkruan Meta.
Ai e mbyll reagimin duke iu referuar edhe opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se, sipas tij, kjo pavarësi nuk mund të zhbëhet nga një vendim gjyqësor.