Politike
Dënimi ndaj ish krerëve të UÇK/ Shpërthen Xhaçka: Sa mijëra gra e vajza u përdhunuan…
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, i cilësoi si shumë të rënda dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka tha se respekti për institucionet e drejtësisë nuk duhet të nënkuptojë heshtje ndaj diskutimit historik dhe politik që lidhet me luftën në Kosovë.
Ajo u ndal te rrethanat e luftës dhe te represioni i ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës, duke argumentuar se historia e konfliktit nuk mund të nisë me procesin gjyqësor në Hagë.
“Historia nuk filloi në Hagë, por në Kosovë”, deklaroi Xhaçka, duke iu referuar dhunës dhe represionit të regjimit serb ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës.
Deputetja socialiste përmendi gjithashtu vrasjet e civilëve, dhunën seksuale dhe zhvendosjen e trupave të viktimave në territorin e Serbisë. Sipas saj, këto ngjarje duhet të jenë pjesë e çdo diskutimi mbi luftën në Kosovë.
Xhaçka tha se Shqipëria duhet ta ngrejë në Këshillin e Evropës çështjen e rihapjes së Rezolutës 1782, duke e konsideruar këtë një çështje që kërkon angazhim institucional.
“Pas afro 6 vitesh paraburgim, pas një procesi të jashtëzakonshëm në kohëzgjatje, dënimet e djeshme ishin shumë të rënda. Respekti për institucionet nuk mund të kërkojë prej nesh heshtjen. Sepse ky proces nuk zhvillohet jashtë historisë dhe historia nuk filloi në Hagë, por në Kosovë. Në një Kosovë ku një regjim kishte vendosur t’i përgjigjej kërkesës së një populli për liri, me dhunë e represion. Vetëm në muajt e fundit të luftës janë vrarë 10 mijë shqiptarë. Sa mijëra gra e vajza u përdhunuan. Dhuna sekuale u përdor për të terrorizuar dhe poshtëruar një popull. Trupat e shqiptarëve të vrarë u transportuan edhe qindra kilometra larg Kosovës dhe u fshehën në varre masive kudo ne Serbi. Kjo kur historia që s’mund të shkëputet nga asnjë diskutim për luftën e Kosovës. Sot ka ardhur koha që asambleja parlamentare e Këshillit të Europës ta rihapë rezolutën 17/82. Është një çështje që Shqipëria duhet ta ngrejë në Këshillin e Europës”, tha mes të tjerash Xhaçka.