Kosova
PROTESTAT NE KOSOVE/ HAZHIU: KUNDËRSHTARËT POLITIKË DHE DËSHMITARËT TË MOS ETIKETOHEN SI TRADHTARË E SPIUNË
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar si të papranueshme etiketimet “tradhtarë” dhe “spiunë” ndaj kundërshtarëve politikë dhe dëshmitarëve në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu ka thënë se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare dhe institucionale, por, sipas saj, kjo mbrojtje nuk mund të bëhet përmes shënjestrimit dhe linçimit të individëve.
Ajo ka paralajmëruar se përdorimi i këtyre emërtimeve në protesta, emisione televizive dhe postime publike rrezikon të nxisë frikë dhe përçarje në shoqëri.
Haxhiu ka theksuar se përgjegjësia për dëshmi apo veprime të caktuara është individuale dhe se nuk mund të paraqitet një popull i tërë si burim i “spiunimit”.
Në të njëjtën kohë, ajo u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë të dhëna për persona që kanë dëmtuar ose dëmtojnë interesin kombëtar dhe shtetëror, që këto të dhëna t’ua dorëzojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë.
Sipas Haxhiut, vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që dalin apo veprojnë publikisht të tregojnë maturi dhe të ruajnë vlerat dhe virtytet që, sipas saj, e karakterizojnë shoqërinë dhe kombin.