✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Kreu i SHISH në arrest shtëpie/ Gjoni: Do ketë ‘lëvizje tektonike’ politike, goditje e madhe për Ramën

Ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni ka diskutuar lidhur me hetimin e SPAK ndaj drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet si bashkëpunëtore e Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të dosjes AKSHI.

Gjoni tha gjatë fjalës së tij se ky rast do të çojë në ‘lëvizje tektonike’ politike dhe sipas tij, kryeministri Edi Rama ka marrë një ‘goditje’ shumë të madhe.

Më tej Gjoni ngriti pikëpyetje nëse Vlora Hyseni ka dhënë informacione jo vetëm për grupet kriminale, por edhe për shërbimet e huaja armiqësore ndaj Shqipërisë.

Sipas Gjonit, nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, ka rënë përballë Aleancës.

“Ne do të duhet të pranojmë se SPAK pavarësisht se është një organ prokurorie, i drejtësisë, nuk mund të përjashtojmë edhe elementin politik. Kur flasim për arrestimin, ndalimin e kreut të SHISH, mesa flitet edhe në media qenka rast unikal. Magnituda e kësaj ngjarje është shumë e madhe, shumë e fortë. Mund të çojë në lëvizje tektonike. Kjo mazhorancë, ky kryeministër, dje ka marrë një goditje shumë të madhe dhe një mesazh shumë të qartë. Ne që kemi punuar në shtet e dimë shumë mirë që Kreu i SHISH nuk mund të lëvizet nga detyra, pa një dakordësi nga partnerët tanë perëndimorë dhe sidomos amerikanët. Nuk e besoj që kjo lëvizje është bërë pa një dakordësi. Shpejtësia pastaj është shumë domethënëse. Nëse ti i jep informacione krimit të organizuar dhe bashkëpunon me të, a është e mundur që t’i i ke dhënë informacione sekrete edhe shërbimeve armiqësore ndaj Shqipërisë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë i gjithë reputacioni i këtij vendi anëtar të NATO-s përballë aleancës është prekur. Pse Presidenti nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurimit? Pse një shtetase nga Kosovë në krye të SHISH? Ajo mund të ketë qenë edhe e kompromentuar nga shërbimet serbe”, tha mes të tjerash Gjoni.

Advertisement