Kronike
Bie nga kati i tretë i Spitalit të Vlorës, ndërron jetë 75-vjeçarja
Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë orëve të natës në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku një paciente 75-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i godinës.
Sipas të dhënave paraprake, e moshuara, me origjinë nga Borshi, ishte e shtruar në repartin e kirurgjisë, ku po merrte trajtim mjekësor. Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja mbeten ende të paqarta dhe po verifikohen nga autoritetet.
Pas rënies nga lartësia, 75-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda trupore. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Në momentin e ngjarjes, dyshohet se pacientja kishte edhe familjarë pranë saj në spital. Ende nuk dihet me saktësi se si ka mundur të largohet nga ambientet ku qëndronte dhe të mbërrijë në pikën nga ku ka ndodhur rënia.
Menjëherë pas ngjarjes, në Spitalin Rajonal të Vlorës kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur verifikimet e para. Efektivët po mbledhin të dhëna dhe po marrin në pyetje personat që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Gjithashtu, pritet të verifikohen edhe procedurat e sigurisë në ambientet e spitalit, si dhe lëvizjet e pacientes dhe personave që ndodheshin pranë saj para momentit fatal.
Grupi hetimor po punon për të dokumentuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një vetëhedhje apo nëse ekzistojnë rrethana të tjera që duhet të hetohen.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje në lidhje me shkaqet dhe rrethanat që çuan në vdekjen e 75-vjeçares.