✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama njofton krijimin e Ministrisë së Administratës Publike, ja kush pritet ta drejtojë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, një institucion i ri që synon të zgjerojë përgjegjësitë për modernizimin e administratës shtetërore dhe përmirësimin e funksionimit të saj.

Gjatë fjalës së tij, Rama argumentoi se administrata publike është kthyer në një nga çështjet qendrore të punës së qeverisë, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, ministria e re do të ketë për qëllim zgjerimin e fushave të përgjegjësisë dhe objektivave për zhvillimin e një administrate më moderne, duke ndjekur modele të përdorura edhe në vende të tjera europiane.

“Është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë la të kuptohet se drejtimi i institucionit të ri do t’i besohet ministres së Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni. Ai tha se, sipas vlerësimit të tij, ajo është personi që duhet të drejtojë ministrinë e re.

“Në këndvështrimin tim nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë vetëm ministria e shtetit për Administratën Publike”, tha Rama, duke falënderuar përfaqësuesit e administratës për angazhimin e tyre.

Njoftimi vjen në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për të reformuar administratën publike, ku një nga sfidat e deklaruara mbetet lidhja e performancës me vlerësimin profesional dhe avancimin në karrierë. Detajet mbi kompetencat konkrete të ministrisë së re dhe mënyrën e organizimit të saj pritet të bëhen të ditura në vijim.

Advertisement