Aktualitet
‘Të përgatitur për rezistencë’/ Gazetari zbulon strategjinë e studentëve
Në ditën e katërt të protestës në Tiranë, pjesa më e madhe e protestuesve është përqendruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë, ku vijojnë tensionet dhe përplasjet me Policinë e Shtetit.
Gazetari Eni Ferhati tha se ndonëse në numër më të vogël se në momentet e mëparshme, protestuesit qëndrojnë përballë efektivëve të policisë dhe po u rezistojnë ndërhyrjeve. Sipas raportimit të tij, shumë prej tyre janë të pajisur me maska kundër gazit lotsjellës, ndërsa policia vijon të përdorë gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën.
Ferhati tha se protestuesit që po përballen me policinë duket se kanë ndryshuar mënyrën e veprimit, pasi pajisja me maska u mundëson të qëndrojnë në zonë edhe pas hedhjes së gazit. Sipas gazetarit, një grup protestuesish kishte kryer akte dhune pranë zonës së Kullave Binjake, pak përpara ndërhyrjes së policisë.
Situata mbetet e tensionuar në bulevard, ndërsa përballja mes protestuesve dhe forcave të rendit vijon në ditën e katërt të tubimit.