Aktualitet
“Kam porositur forcat e policisë’/ Ministri Demo reagon për dhunën ndaj studentëve
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka bërë të ditur se 156 persona janë lënduar gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë. Sipas shifrave të publikuara prej tij, mes të lënduarve janë 97 efektivë policie, 45 protestues dhe 12 kalimtarë.
Në reagimin e tij, Demo u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve, duke theksuar se pasojat e përplasjeve prekin jo vetëm pjesëmarrësit në protesta, por edhe qytetarë që mund të kenë qenë duke shkuar drejt familjeve apo vendeve të tyre të punës.
Ministri iu referua edhe një deklarate të një mjeku në Spitalin e Traumës, i cili, sipas tij, kishte thënë: “Kur vijnë këtu të gjithë janë të humbur, asnjë s’ka fituar.” Përmes këtij mesazhi, Demo kërkoi që energjia e qytetarëve të përqendrohet te puna për të mirën e vendit dhe jo te përplasjet për interesa politike.
Një pjesë të veçantë të reagimit, ministri ia kushtoi përfshirjes së të miturve në protestë. Sipas tij, mes personave të lënduar janë edhe katër të mitur. Demo deklaroi se nuk beson që prindërit mund të jenë të kënaqur kur shohin fëmijët e tyre duke mbajtur gurë apo mjete të tjera dhe duke u përfshirë në akte dhune.
Ai dënoi përdorimin e të miturve në përplasje politike dhe u bëri thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët të vihen në rrezik. Ministri tha gjithashtu se u ka kërkuar vazhdimisht forcave të policisë të tregojnë kujdes të veçantë ndaj të miturve gjatë ndërhyrjeve.
Reagim i ministrit Demo:
Të nderuar qytetarë,
nga vala e dhunës që përfshiu kryeqytetin katër ditët e fundit,
156 qytetarë shqiptarë janë lënduar. 97 efektivë policie, të cilët kanë kryer detyrën e që në fund të ditës duan si të gjithë ne të jetojnë paqësisht në vendin tonë e në darkë të kthehen pranë familjeve.
45 protestues, të cilët po ashtu kanë aspiratat e tyre legjitime për të tashmen e të ardhmen në këtë vend, për ta e familjet e tyre, së bashku me 12 kalimtarë, të cilët ndoshta po shkonin drejt familjes apo punëve të tyre.
Të gjithëve, ju uroj shërim të shpejtë, dhe dua t’ju kujtoj se kemi më shumë arsye të bëhemi bashkë e të punojmë në të mirë të vendit e jo të përleshemi për llogari të dikujt që gështenjat e zjarrit të luftës politike kërkon t’i nxjerrë me duart e të tjerëve të verbuar nga urrejtja dhe flakët e ndasisë.
Më ka mbetur në mendje fjalët e një mjeku te Spitali i Traumës, i cili tha: “Kur vijnë këtu të gjithë janë të humbur, asnjë s’ka fituar.”
Mes të lënduarve ka patur edhe 4 të mitur dhe unë dua të ndalem pak këtu. Unë nuk besoj se ka prind në Shqipëri, pavarësisht bindjeve të tyre partiake, i cili gëzohet nëse sheh fëmijët e tij të mitur, me gurë apo mjete të tjera në duar, duke goditur punonjës policie, duke thyer xhamat e institucioneve publike, duke shkatërruar semaforë e sinjalistika, duke bastisur e djegur pronën private e publike.
Përdorimi i të miturve në akte thellësisht politike, e aq më tepër vënia në rrezik i jetëve të tyre për hir të luftës në pushtet është një poshtërsi, e cila nuk duhet të kalojë pa u vënë re e pa u përbuzur nga e gjithë shoqëria shqiptare.
Kam porositur vazhdimisht forcat e policisë që të tregojnë kujdes të veçantë me ta, por dua të bëj sërish një thirrje sërish për prindërit: Ju lutem, me dorë në zemër, mos lejoni që fëmijët tuaj të përdoren në luftën për pushtet të atyre që nuk njohin asnjë kufi as njerëzor e as moral!
Prandaj, kur themi se dhuna nuk ka të bëjë me studentët, nuk po bëjmë retorikë. Po refuzojmë të barazojmë studentët me ata që zgjedhin dhunën. Mes personave të arrestuar e proceduar për akte të dhunshme, numri i studentëve është jashtëzakonisht shumë i vogël dhe jam i bindur që ata nuk kanë fare lidhje me skenarin e dhunshëm politik.
Mund të kemi plot dallime dhe mund të ndahemi në shumë opinione, por ka një fakt që nuk e mohon dot askush, që ka respekt për të vërtetën. Kjo është një përpjekje e maskuar e atyre që pushtetin duan ta marrin me dhunë e që nuk paskan ndërmend të kursejnë as të miturit e as bizneset private të njerëzve, që s’kanë lidhje me betejën e tyre dhe që duan të ndalin rrugëtimin e Shqiperisë drejt Bashkimit Europian, duke e spostuar vendin nga tryeza e negociatave me BE-në tek rruga e së kaluarës nga kemi dalë me shumë përpjekje.
Dua t’ju garantoj se nuk do ja dalin! Shqipëria është nisur tashmë drejt destinacionit dhe askush e asgjë nuk do ta ndalë zhvillimin europian të vendit!