Aktualitet
Protesta e studentëve “pushton” mediat ndërkombëtare, jehonë botërore
Prej katër ditësh, protestat në Tiranë janë përshkallëzuar, duke e çuar kryeqytetin në një situatë të tensionuar. Mijëra të rinj dhe jo vetëm kanë bllokuar rrugë, kanë sulmuar godina qeveritare, banka apo biznese private si dhe kanë djegur stola, kosha mbeturinash dhe kioska.
Disa prej mediave prestigjioze ndërkombëtare i kanë kushtuar artikuj të ndryshëm protestës. “New York Times” shkruan se zemërimi për kostot e larta të arsimit është bashkuar me pakënaqësitë për korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës dhe projektin e një resorti luksoz në jug të Shqipërisë.
“Mijëra studentë dhe qytetarë kanë paralizuar kryeqytetin shqiptar, duke bllokuar rrugët, ndezur zjarre dhe ngritur barrikada me kangjella hekuri, në kuadër të protestave kundër kostos së lartë të arsimit dhe në kërkim të dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.
Protestat, që kanë nisur si një lëvizje studentore në mbështetje të kundërshtimit të një projekti luksoz turistik në jug të Shqipërisë, janë përshkallëzuar këtë javë, duke u shndërruar në përplasje të dhunshme me policinë. Pakënaqësia publike lidhet gjithashtu me korrupsionin, rritjen e kostos së jetesës dhe akuzat për favorizim të interesave private nga qeveria.
Protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë, ku disa prej tyre hodhën gurë ndaj ndërtesave qeveritare dhe bankave, dëmtuan bankomate dhe u përplasën me forcat e rendit”, shkruan “New York Times”.
Anila Shehu, studente e vitit të tretë në degën e inxhinierisë, tha për gazetën se qytetarët kanë protestuar prej më shumë se katër muajsh, duke kërkuar largimin e kryeministrit, por pretendon se kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar.
“Për këtë arsye, do të vazhdojmë të protestojmë me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të mundshme, derisa Rama të japë dorëheqjen. Mjaft është mjaft”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, Emir Lecini, pjesëtar i grupit studentor që ndihmoi në nisjen e protestave, tha se situata është bërë e vështirë për t’u kontrolluar. Sipas tij, protestave studentore u janë bashkuar edhe grupe tifozësh futbolli dhe qytetarë të tjerë të pakënaqur me qeverinë.
Lecini theksoi se kërkesa për dorëheqjen e Ramës mbetet e pandryshuar, shkruan “New York Times”.
Edhe agjencia prestigjioze e lajmeve “The Guardian” ka bërë një shkrim për protestat në Tiranë si dhe ka publikuar video në profilin e saj zyrtar në “Instagram”.
“Ne po protestojmë për një Shqipëri të Re, një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku qytetari i zakonshëm ka të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mundësi si të pasurit dhe të fuqishmit”, tha artistja dhe aktivistja Mei Seva, e cila ka muaj që proteston në Shqipëri.
“Dhjetëra mijëra studentë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit shqiptar, ku protestat kundër rritjes së kostove të arsimit dhe korrupsionit janë përshkallëzuar në përplasje të dhunshme me policinë. Gjatë tubimit janë vënë flakën një godinë qeveritare dhe dy banka, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë drejt forcave të rendit.
Policia u përgjigj me autobote me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Sipas raportimeve, protestuesit i kanë vënë zjarrin godinës së Ministrisë së Arsimit, kanë përmbysur kazanë mbeturinash dhe kanë dëmtuar vitrinat e bizneseve lokale”, shkruan “The Guardian” në artikullin e saj.
Protestat e ditëve të fundit në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe të medias prestigjioze britanike BBC, e cila raporton për përshkallëzimin e demonstratave në Tiranë dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë.
Siç shkruan BBC, protesta vijon edhe këtë enjte, me një situatë mjaft të tensionuar, sidomos në kryeqytet.
“Disa demonstrues thyen xhama, u vunë flakën kioskave dhe shkulën gardhe metalike nga trotuaret, ndërsa policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Demonstratat nisën të martën, përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët dolën në rrugë për të kërkuar kushte më të mira në universitete dhe më shumë mundësi punësimi pas përfundimit të studimeve”, shton më tej, krahas pamjeve.