Aktualitet
Gjykata e Lartë e shkrumbuar nga flakët, dëme edhe në banka e biznese pas protestës në Tiranë
Mure të nxira, fasadë e shkrumbuar dhe një skelet i çuditshëm hekuri i ekspozuar. Këto janë detajet që të bien menjëherë në sy pas zjarrit që protestuesit i shkaktuan godinës së Gjykatës së Lartë, i cili mori përmasa duke rrezikuar ndërtesën.
Në vendin e përfshirë nga flakët s’ka mbetur më asgjë veçse tavanit të rrënuar dhe një grumbulli materialesh të ngurta. Xhamat e dritareve të katit të parë janë të thyera, pika që protestuesit i përdorën për të hedhur të tjerë molotovë brenda zyrave.
Nga hapësirat mes dritareve mund të shihet se dëmi këtu është disi më i pakët, por vetëm një bilanc i qartë mund ta tregojë shkallën e tij.
Edhe një biznes ngjitur, që i përket një kompanie celulare ka pësuar disa dëme në fasadën e sipërme pasi pjesa e xhamtë është thyer, por protestuesit duket se nuk kanë tentuar të shqyejnë qepenin me forcë, siç vepruan te një tjetër pikë e të njëjtit operator, në hyrje të “Rrugës së Dibrës” ku edhe plaçkitën ç’mundën.
Po në rrugën “Myslym Shyri”, filiali i një banke të nivelit të dytë ku u shkaktua zjarr, numëron të njëjtat dëmtime.
Ndërsa te zyrat e Bankës së Shqipërisë te ish-hotel ‘Dajti’, dera kryesore, e cila u shpërthye nga protestuesit e më pas mori flakë, është tërësisht e nxirë.
Edhe grilat e dritareve janë shkatërruar, xhamat e tyre, të disa dyerve si dhe të kabinës së rojet janë të thyera.