Aktualitet
Fadromat heqin gurët e trotuareve, masa shtesë për tubimin e sotëm
Pas disa ditësh protestash të shoqëruara me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë, mëngjesin e kësaj të diele fadromat kanë dalë në bulevardin përpara godinës së Kryeministrisë, ku po hiqen gurët e trotuareve.
Sipas raportimeve nga terreni, ndërhyrja vjen pas përplasjeve të përsëritura gjatë tubimeve të ditëve të fundit, ku janë regjistruar episode dhune dhe dëmtime të hapësirave publike.
Gjatë protestave, një pjesë e demonstruesve kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policisë. Nga ana tjetër, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për shpërndarjen e turmës. Përplasjet kanë sjellë tensione të vazhdueshme në zonën përreth institucioneve qendrore të kryeqytetit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, në një dalje live në rrjetet sociale mëngjesin e sotëm, është shprehur se do të shtohen masat në terren për menaxhimin e situatës.
Në këtë kontekst, vëmendja është përqendruar edhe te angazhimi i forcave speciale RENEA. Sipas raportimeve mediatike, efektivë të kësaj njësie janë dislokuar pranë Kryeministrisë gjatë protestave të së shtunës, më 17 tetor.
Situata në kryeqytet vijon të jetë në vëmendje, ndërsa masat e sigurisë dhe ndërhyrjet në bulevard vijnë pas disa ditësh përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të rendit.