Aktualitet
Rikthehen tensionet në protestë, arrestohet protestuesi
Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, në vijim të hetimeve për incidentet e regjistruara gjatë tubimeve të zhvilluara në kryeqytet.
Sipas policisë, gjatë përplasjeve është dëmtuar një punonjës i uniformave blu.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se personi i arrestuar dyshohet se ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe ka hedhur sende të forta në drejtim të tyre dhe të institucioneve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë.
Ndërkohë, një shtetas tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një punonjës policie gjatë tubimit të zhvilluar dy ditë më parë.
Policia e Tiranës bën me dije se veprimet hetimore dhe procedurale vijojnë për dokumentimin e plotë të rasteve dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore të personave të përfshirë.