Politike
Rama feston raportin e BE-së: Shqipëria më pranë se kurrë anëtarësimit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të progresit të Komisionit Evropian, duke e cilësuar vlerësimin për Shqipërinë si më të lartin e marrë ndonjëherë. Sipas tij, vendi është më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në reagimin e tij, Rama e përshkroi raportin si një moment krenarie për Shqipërinë dhe një tjetër vlerësim inkurajues nga institucionet evropiane. Ai theksoi se raporti shënon një hap përpara drejt objektivit të integrimit, por pranoi se Shqipëria ka ende shumë detyra për të përmbushur, ndërsa afatet e negociatave po bëhen gjithnjë e më të ngushta.
Kreu i qeverisë nënvizoi se vlerësimi pozitiv i Brukselit nuk i zbeh problematikat me të cilat përballen qytetarët në jetën e përditshme. Sipas tij, këto çështje duhet të mbeten në vëmendjen e qeverisë dhe shumicës parlamentare.
Reagimi i plotë:
Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë.
Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane.
Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.
Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.
Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.
Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.