Aktualitet
Shpërthimi me një viktimë/ Ministria e Shëndetësisë: Mes të asfiksuarve edhe një fëmijë…
Tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit pas shpërthimit të fuqishëm në një pallat banimi në qytet. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila konfirmon gjithashtu se ngjarja ka shkaktuar një viktimë.
Sipas njoftimit zyrtar, një 83-vjeçar është gjetur i pajetë në vendngjarje. Ndërkohë, tetë personat e tjerë po marrin trajtimin e nevojshëm në spital, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet nga ekipet mjekësore.
Ministria bën të ditur se shërbimet e urgjencës janë në gatishmëri të plotë dhe se Spitali Rajonal i Elbasanit ka vënë në dispozicion kapacitetet e nevojshme për trajtimin e të lënduarve.
Autoritetet shëndetësore po ndjekin situatën në koordinim me strukturat përkatëse, ndërsa informacioni për gjendjen e pacientëve pritet të përditësohet pas vlerësimeve mjekësore.