Shkrime
OFERTA E BERISHES I BIE ME KOKE MURIT TE REFUZIMIT, E VETMJA DERE E HAPUR ESHTE AJO E EDI RAMES
Thirrja e Sali Berishës për bashkimin e opozitës është përballur me një mur kundërshtimesh. Oferta për krijimin e një fronti të përbashkët kundër Edi Ramës nuk ka arritur të bindë tre prej drejtuesve të partive të reja politike. Adriatik Lapaj, Agron Shehaj dhe Arlind Qori kanë artikuluar publikisht refuzimin e tyre, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm mënyrën se si Berisha kërkon të ndërtojë koalicionin, por edhe vetë rolin e tij në një alternativë të re politike.
Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, ftesa e kreut të PD-së u përball me tri qëndrime të ndryshme, por me një pikë të përbashkët: asnjëri prej tyre nuk pranon që bashkimi i opozitës të jetë një marrëveshje e mbyllur mes kryetarëve të partive, me Berishën në krye.
Adriatik Lapaj kërkoi largimin nga skena politike të dy figurave që kanë dominuar politikën shqiptare prej dekadash, Sali Berishës dhe Edi Ramës. Megjithatë, ai bëri një dallim të qartë mes kreut të PD-së dhe demokratëve, duke refuzuar që elektorati opozitar të identifikohet automatikisht me drejtuesin e tij.
“Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve”, deklaroi Lapaj.
Për zgjedhjet vendore të 9 majit, ai hodhi në tryezë idenë e një formule tjetër politike: kandidatë të rinj të dalë nga protestat, studentët dhe partitë e reja, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe jo të përballen me pazare të paracaktuara në zyrat e partive.
“Unë nuk e kam të bashkohemi ne të tre”, sqaroi Lapaj, duke nënvizuar se bashkimi që kërkon opozita nuk mund të kufizohet në një marrëveshje mes disa drejtuesve politikë.
Por nëse Lapaj la hapur diskutimin për një formulë të re bashkëpunimi, Agron Shehaj e bëri të qartë se nuk sheh asnjë arsye për një koalicion me PD-në për sa kohë ajo drejtohet nga Berisha.
Kreu i Partisë Mundësia kujtoi se e kishte refuzuar edhe më parë ofertën e kreut demokrat, gjatë zgjedhjeve të vitit 2025. Sipas tij, ky vendim nuk kishte lidhje me ego politike apo mungesë atdhetarizmi, por me bindjen se një marrëveshje e tillë nuk do ta afronte opozitën me objektivin e saj.
“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025, nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë”, deklaroi Shehaj.
Ndërsa dy kolegët e tij artikuluan rezerva dhe alternativa të tjera, Arlind Qori shkoi edhe më tej në kundërshtimin e tij. Kreu i Lëvizjes Bashkë e vendosi Berishën dhe Ramën në të njëjtën linjë politike, duke e cilësuar ish-kryeministrin demokrat si “sivëllain” e kreut të qeverisë.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi Qori.
Ai ngriti akuza për interesa të përbashkëta të dy drejtuesve politikë me oligarkë dhe ndërtues, ndërsa e cilësoi kontradiktore ftesën e Berishës për koalicion, pas sulmeve që, sipas tij, kishte marrë vetëm pak ditë më parë.
“Brenda 3-4 ditësh çfarë nuk tha për të më sulmuar mua, në të njëjtën linjë dhe egërsi me Ramën, dhe të bëjë të nesërmen sikur nuk ka ndodhur gjë, të thotë hajde futemi në koalicion”, u shpreh Qori.
Kështu, oferta e Berishës për bashkimin e opozitës ka hapur një përplasje të re brenda kampit kundërshtar të qeverisë. Lapaj kërkon një proces më të gjerë përfaqësimi, pa Berishën në krye; Shehaj refuzon një marrëveshje që e konsideron të papërshtatshme për objektivin opozitar, ndërsa Qori e kundërshton kategorikisht bashkëpunimin, duke e vendosur Berishën përkrah Ramës.
Tri përgjigje, tri qëndrime dhe një ofertë që nuk ka prodhuar konsensus. Përpjekja për të bashkuar opozitën përballë Edi Ramës tashmë përballet me një pikëpyetje të madhe: kush do të ulet në tryezë, me çfarë kushtesh dhe, mbi të gjitha, kush do ta drejtojë një front të tillë?