✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

STUDENTET QE NUK DUAN TE BEHEN POLITIKANE

Pas dy vitesh protestash, studentët serbë kanë tronditur një pushtet që dukej i pathyeshëm dhe kanë larguar nga skena politike njerëzit e korrupsionit, dhunës dhe klientelizmit. Për brezin që protestoi kundër Millosheviçit në vitet ’90, kjo lëvizje përfaqëson një revolucion të një natyre krejt tjetër: kolektiv, pa udhëheqës të vetëm dhe me një vizion të ri për shoqërinë…

Natën e Halloween-it, vetëm pak ditë pasi një lëvizje e udhëhequr nga studentët kishte tronditur themelet e një regjimi joliberal, që dukej i pamposhtur në Serbinë time të lindjes, ndodhesha në një tramvaj në Vjenë.

Shikoja përbindësha të ndryshëm, herë miqësorë e herë kërcënues, që hipnin dhe zbrisnin nëpër stacione. Shtrigat, djajtë dhe njëbrirëshat drejtoheshin me mirësjellje drejt festave të tyre. Por jo të gjithë përbindëshat veshin kostume karnavalesh.

Më vonë atë mbrëmje, kalova pranë një restoranti serb. Përpara tij qëndronte një grup burrash me fytyra të vrenjtura. Pinin cigare, pështynin në tokë dhe shanin. I njihja mirë ato qëndrime sfiduese, indiferencën e atyre që nuk japin llogari para askujt, aromën e korrupsionit dhe prirjen për dhunë.

Megjithatë, këtë herë dukej sikur jeta e tyre po merrte fund. Ishin humbësit e revolucionit që po zhvillohej në Serbi. Rrugët e kontrabandës dhe pazaret e tyre po viheshin në rrezik. Rrjetet kriminale nuk funksiononin më si dikur.

Edhe përbindësha të tjerë, që për vite kishin ushqyer frikën, e kishin humbur fuqinë e tyre. Mes tyre ishin krijesat e neveritshme të neoliberalizmit, të grumbulluara rreth udhëheqësit të tyre të madh, Aleksandar Vuçiç, një lloj baroni Vladimir Harkonnen i versionit të David Lynch-it të filmit “Dune”.

Pastaj ishin edhe të ashtuquajturit sendviçari, që në Beograd njihen si “njerëzit e sanduiçëve”. Të varfër e të dëshpëruar, ata pranonin të rekrutoheshin nga pushteti për të marrë pjesë në mitingjet politike të qeverisë, në këmbim të një sanduiçi.

Madje edhe Cacilandi ka rënë. Gjatë dy viteve të protestave studentore, persona që paraqiteshin si mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiçit u grumbulluan në Parkun e Pionierëve, në qendër të Beogradit. Vuçiçi këmbëngulte se bëhej fjalë për studentë të vërtetë, të cilët dëshironin të vazhdonin studimet dhe jo të protestonin.

Gjithçka nisi nga një gabim drejtshkrimor. Dikush në Novi Sad shkroi në një mur parullën “Studentë, kthehuni në shkollë!”, por fjalën đaci (nxënës) e shkroi gabimisht ćaci. Kështu, kampi i studentëve të improvizuar në mbështetje të qeverisë mori emrin Caciland.

Ishte një Mordor i vogël në mes të Beogradit, që dukej sikur kërcënonte vazhdimisht të lëshonte mbi qytet hordhi orkësh me kapuçë dhe gurë në xhepa. Të gjithë këta përbindësha janë dëbuar në errësirë.

Gjatë dy viteve të fundit, një lëvizje studentore ka arritur të mobilizojë masivisht shoqërinë serbe. Studentët kanë bllokuar universitetet dhe kanë ndërtuar struktura organizimi të veçanta, të sheshta dhe pa një hierarki të ngurtë.

Kur po prisja në radhë në Vjenë për të votuar Listën Studentore, një student më shpjegoi me shumë dashamirësi se si lëvizja ishte zgjeruar nga një asamble e përgjithshme në tjetrën, derisa kishte arritur në atë që ata e quanin “mega-asamble”.

Gjithçka ishte ndërtuar pa u mbështetur te një udhëheqës i vetëm. Asnjë fytyrë nuk lejohej të shfaqej në media më shumë se dy herë dhe sapo dikush rrezikonte të bëhej tepër i spikatur, shtyhej sërish drejt periferisë së lëvizjes.

Protestuesit studentë të brezit tim, ata që dolën në rrugë gjatë rënies së regjimit të Millosheviçit në vitet ’90, ishin krejt ndryshe. Mjeti ynë kryesor i komunikimit ishte radioja, veçanërisht B92. Droga jonë ishte gjithçka që mund të siguronim.

Ne besonim te ndarjet: kozmopolitë kundër nacionalistëve, qyteti kundër fshatit, urbania kundër ruralitetit. Edhe ne ishim një lloj përbindëshash: zombi individualistë, që shfaqeshin në turma, por secili ecte në rrugën e vet.

Për ne kishte rëndësi t’i përkisnim një nënkulture të veçantë, të dalloheshim nga të tjerët. I rafinuam aq shumë shijet tona muzikore, sa në fund mbetëm vetëm me grupet tona të preferuara.

Meqë luftërat zhvilloheshin në emrin tonë, por pa dëshirën tonë, krijuam prirjen të largoheshim nga çdo grup sapo ai nuk përfaqësonte më pikëpamjet tona personale. Kështu, sot secili endet nëpër botë, disi pa një drejtim të përbashkët, i përqendruar te sukseset dhe fati i vet individual.

“Ndarjet tuaja të viteve ’90 nuk kanë më rëndësi. Kushdo që dëshiron të na bashkohet për të ndërtuar një shoqëri më të mirë është i mirëpritur”, më shpjegoi studenti në radhë, me një kënaqësi të dukshme. “Ne jemi një kolektiv!”, theksoi ai.

Në atë çast kuptova se protestuesit studentë ngjajnë disi me Borgët e serialit Star Trek. Një grup kiborgësh jashtëtokësorë, të lidhur përmes një mendjeje të përbashkët. Por këtë herë lidhja nuk bëhet përmes ndonjë teknologjie fantastiko-shkencore, por përmes internetit dhe telefonave celularë.

Dhe deri tani, këta përbindësha kanë treguar se mund të jenë të mirë dhe paqësorë. Borgët, janë në shumë aspekte më të mirë, më të shpejtë dhe më të mirëinformuar se brezi ynë. Lista Studentore nuk komunikonte me mbështetësit përmes televizionit, por përmes asaj që mund të quhet “dekreti i Instagramit”.

Në një vend ku pothuajse të gjitha mediat vareshin në mënyrë absurde nga qeveria, kjo mënyrë komunikimi u mundësoi studentëve të krijonin një mbështetje të gjerë dhe të ngjallnin një entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, ky hov u arrit pjesërisht duke lënë në plan të dytë disa çështje që për brezin tonë kishin qenë thelbësore, si për shembull marrja e përgjegjësisë për luftërat e viteve ’90. Por ndoshta do të vijë edhe momenti për t’u përballur me to, në një parlament të vërtetë dhe në një atmosferë krejt tjetër.

Për momentin, shumë gjëra mbeten ende të hapura. Këta “Borgë të demokracisë”, dëshmojnë çdo ditë se ndryshimi është vërtet i mundur dhe se nuk është kurrë vonë për iniciativa pozitive. Unë u qëndroj me zemër pranë, i mbështes aq sa mundem dhe shpresoj që prirjet nacionaliste dhe mentaliteti i turmës të mos i mposhtin këto struktura ende të brishta.

Ishte dhe vazhdon të jetë një revolucion vërtet i mrekullueshëm. Por le të kthehem te vetja ime, atë natë Halloween-i. Kisha dalë nga shtëpia pa asnjë kostum, thjesht si shkrimtarja zombi që jam, për t’u takuar me mikeshat e mia të dikurshme nga ish-Jugosllavia, të cilat i përkasin, pak a shumë, të njëjtit brez me mua.

Kur hyra në kinema, kuptova se të gjitha kishin ardhur të veshura si studentët Borgë. Këtë mund ta dalloje nga atmosfera që krijonin dhe nga temat për të cilat flisnin. Me sa dukej, i vetmi zombi isha unë. U ndjeva në siklet që nuk e kisha kuptuar më herët se kishte ardhur koha për ndryshim.

Për këtë transformim nuk nevojiten as mjete të posaçme, as kostume. Nuk duhet të bësh ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ne, zombit e vjetër, duhet vetëm të jemi të gatshëm të rishqyrtojmë bindjet tona dhe ta përballim botën me një tjetër qasje./Pamfleti nga “The Guardian”

Shënim: Barbi Marković është shkrimtare serbe me banim në Vjenë, Austri.

Advertisement