✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Projektbuxheti 2027/ Shteti propozon pagesa mujore për fëmijët

Bonusi i bebeve pritet të ndryshojë formë nga viti 2027. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka prezantuar skemën e re të mbështetjes financiare për familjet me fëmijë, e cila parashikon pagesa mujore për pesë vitet e para të jetës, në vend të pagesës së vetme që jepet aktualisht në momentin e lindjes.

Sipas propozimit të përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2027, skema do të zbatohet për fëmijët që lindin nga 1 korriku 2027 e në vijim. Masa e përfitimit do të përcaktohet nga numri i fëmijëve në familje.

Konkretisht, për fëmijën e parë parashikohet një pagesë prej 5 mijë lekësh në muaj, ose 300 mijë lekë në total për pesë vite. Për fëmijën e dytë mbështetja do të jetë 7 mijë lekë në muaj, duke arritur në 420 mijë lekë për pesë vite, ndërsa për fëmijën e tretë parashikohen 10 mijë lekë në muaj, ose 600 mijë lekë në total.

Ministrja Ismaili e prezantoi ndryshimin përmes një mesazhi publik, ku theksoi se mbështetja do të jetë më e vazhdueshme gjatë viteve të para të rritjes së fëmijëve.

“ Nga bonusi i dikurshëm prej 5 mijë lekësh për regjistrimin e lindjes, te pagesat e njëhershme prej 40 mijë, 80 mijë dhe 120 mijë lekësh, sot propozojmë një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme mujore për pesë vitet e para të jetës”, u shpreh ajo.

Skema është pjesë e projektbuxhetit të vitit 2027, i cili po shqyrtohet në Kuvend. Për rrjedhojë, zbatimi i saj mbetet i lidhur me miratimin përfundimtar të projektbuxhetit.

Advertisement