Politike
VELIAJ ‘PA DOREZA’ BOKSI, MASKAT KANE RENE ÇFARE PO NDODH BRENDA RINGUT TE PS
Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk lidhet thjesht me mosmarrëveshje politike, por me një luftë për pushtet brenda Partisë Socialiste.
Kështu e ka interpretuar avokati Romeo Kara konfliktin mes dy socialistëve, ku deklaroi se marrëdhëniet brenda mazhorancës kanë hyrë në një fazë përplasjesh të hapura.
Sipas Karajt, Partia Socialiste ndodhet në një situatë emergjente, ndërsa rivalitetet mes drejtuesve të saj nuk fshihen më pas unitetit politik që ka karakterizuar deri tani qëndrimet publike të mazhorancës.
“Luftë për pushtet mes njerëzve që janë në aleancë për të marrë pushtet. PS është në emergjencë të plotë, maskat kanë rënë dhe armiqësitë kanë dalë hapur. Luftën e kanë me njëri-tjetrin dhe jo me kundërshtarët politikë”, deklaroi avokati Kara.
Avokati kritikoi edhe mënyrën se si po zhvillohet përplasja me Veliajn, duke theksuar se kryebashkiaku ndodhet në kushte të pabarabarta për shkak të paraburgimit në Fier.
Sipas tij, largimi nga Tirana dhe pamundësia për të ushtruar drejtpërdrejt detyrën e kryetarit të bashkisë krijojnë një situatë që Veliaj mund ta përdorë në argumentet e tij ligjore.
Karaj vlerëson se përplasja politike me Ramën mund t’i shërbejë kryebashkiakut për të ngritur pretendime mbi presionin e ushtruar nga nivelet më të larta të pushtetit, nëse çështja e tij shkon në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Lufta nuk pati etikën që kur dikush është prapa hekurave, të stopohej. Veliajt iu dha gur i fortë për të thënë që kam presion nga pushteti më i lartë në Shqipëri. Me këtë do të shkojë në Strasburg. Nuk çuditem ta përjashtojnë nga partia”, u shpreh ai