✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Plagosi ish vjehrrin me drapër, Gjykata e Fierit lë në burg dajën e deputetes Zegjine Çaushi

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, daja i deputetes Zegjine Çaushaj, i dyshuar për plagosjen e rëndë me dashje të 67-vjeçarit Enver Grëmi dhe për shkeljen e një vendimi gjykate.

Vendimi është marrë këtë të hënë nga gjyqtarja Bora Shaholli, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit për caktimin e masës më të rëndë të sigurisë. Sipas vendimit, Bakaj do të qëndrojë në burg deri më 17 dhjetor 2026.

Ngjarja u regjistrua në fshatin Suk të Roskovecit. Sipas dyshimeve të hetimit dhe dëshmisë së babait të 34-vjeçares, 52-vjeçari është rikthyer në banesën e familjes Grëmi me synimin për ta marrë sërish vajzën. Kundërshtimi i të atit përfundoi në konflikt fizik, gjatë të cilit 67-vjeçari u godit me një drapër në këmbë.

Pas plagosjes qëndron një histori e denoncuar nga familja, e cila pretendon se kishte nisur disa muaj më parë. Sipas rrëfimit të babait, Bakaj ishte afruar me familjen duke u premtuar ndihmë për gjetjen e një pune për vajzën, e cila kishte probleme shëndetësore.

Më 26 maj, babë e bijë kishin shkuar në Spitalin Rajonal të Fierit për një vizitë mjekësore. Pas daljes nga spitali, sipas pretendimeve të 67-vjeçarit, Bakaj e kishte marrë vajzën me vete, duke i thënë të atit se do ta dërgonin me ambulancë drejt Tiranës. Familja pretendon se për 45 ditë nuk pati asnjë kontakt me 34-vjeçaren.

Pas kthimit në banesë, vajza u kishte treguar prindërve se ishte mbajtur kundër dëshirës së saj dhe ishte dhunuar seksualisht. Ajo kishte kërkuar gjithashtu urdhër mbrojtjeje në polici.

Sipas dëshmisë së babait, rikthimi i 52-vjeçarit në banesë dhe përpjekja e pretenduar për ta marrë sërish vajzën shkaktuan përplasjen që përfundoi me plagosjen e tij.

Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet e ngritura nga familja. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, Bakaj prezumohet i pafajshëm.

Advertisement