Politike
“Inflacioni godet më të varfrit”/ Braçe përplaset me ministren e Ekonomisë
Indeksimi i pensioneve, ulja e çmimeve, TVSH-ja në bujqësi dhe taksimi i hidrokarbureve ishin në qendër të debatit mes deputetit Erion Braçe dhe ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku u diskutua buxheti dhe investimet e parashikuara për vitin 2027.
Braçe ngriti shqetësimin se mënyra aktuale e indeksimit të pensioneve nuk reflekton njësoj rritjen e kostos së jetesës për të gjitha kategoritë. Sipas tij, inflacioni prek më shumë qytetarët me të ardhura të ulëta, ndërsa skema aktuale mund të favorizojë pensionistët me përfitime më të larta.
“Nga llogaritja nga INSTAT del që inflacioni godet ata me të ardhura të ulëta. Kështu e kemi indeksimin regresiv. Përfiton ai me pension më të lartë. Nga 2015 e këtej, sa janë si numër pensionistët dhe sa shkon vlera e pensionit mesatar në këtë periudhë?”, pyeti Braçe.
Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime se si do të garantohet që uljet fiskale të parashikuara të reflektohen realisht te konsumatorët dhe jo të përthithen nga tregtarët përmes rritjes së çmimeve në dhjetor.
“Cili është instrumenti që do ta përcjellë masën e plotë te qytetari? […] Do të rrisin çmimet në dhjetor, që të përthithin zbritjen në janar që ne e kemi dhënë si faktor fiskal”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje e ngritur prej Braçes ishte TVSH-ja në bujqësi dhe ndikimi i saj te prodhuesit e bulmetit. Ai kërkoi të dinte se si do të funksionojë skema për baxhot, duke vënë në dukje diferencën mes TVSH-së në blerje dhe asaj në shitje.
“Një baxho do të blejë me 0 apo 6 për qind? Do të shesë djathë me 20 për qind TVSH? Do të vijojë të jetë një goditje për sektorin e bulmetit?”, pyeti Braçe, duke kërkuar gjithashtu që në zinxhirin e TVSH-së të përfshihen edhe fermerët e vegjël.
Deputeti ngriti shqetësime edhe për çmimin e hidrokarbureve, duke kërkuar që çdo ndërhyrje fiskale të shoqërohet me kontroll të cilësisë dhe të sasisë së karburantit që u ofrohet qytetarëve.
“Nëse marrim një masë fiskale për ulje të çmimit, ai të ketë cilësi dhe në çmim dhe në peshë, të mos ndodhë transferimi i korrupsionit”, theksoi ai.
Në përgjigjen e saj, ministrja Delina Ibrahimaj pranoi nevojën për të shqyrtuar metodologjinë e indeksimit të pensioneve, duke bërë të ditur se po diskutohet mundësia e një skeme që merr më shumë në konsideratë pensionistët me të ardhura të ulëta.
“Çështja e metodologjisë së indeksimit të pensioneve, indeksimi dikujt t’i rritet më shumë, dikujt më pak. Ai që e ka të ardhurën më të ulët dhe shportën më të ulët, ka edhe indeksimin më të ulët. Të shohim një studim për një indeksim për ata me të ardhura më të ulëta”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja foli edhe për bonuset e pensionistëve dhe vështirësitë që krijon numri i lartë i personave që dalin në pension pa plotësuar vitet e nevojshme të punës. Sipas saj, informaliteti dhe mosregjistrimi i plotë i punësimit kanë ndikuar në nivelin e pensioneve.
“Problematika e sistemit tonë, dalin në pensionistë pa vite të plota pune. Kjo nga informaliteti dhe regjistrimi nga punëmarrësit ka qenë i lartë. Kemi një diskutim me Bankën Botërore për këtë, që edhe këta pensionistë të mos kenë një pension të ulët”, deklaroi ministrja.
Sa i përket uljes së çmimeve, Ibrahimaj bëri të ditur se nisma do të përfshijë gjashtë linja supermarketesh dhe 54 produkte, të cilat do të monitorohen nga muaji nëntor. Ajo sqaroi se qeveria nuk mund t’i detyrojë të gjithë tregtarët të ulin çmimet, ndërsa ndikimin pritet ta ushtrojë konkurrenca në treg.
“A bëjmë dot një detyrim për uljen e çmimeve? Jo. Kjo do të bëhet nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Agjencia për Ruajtjen e Konsumatorit”, tha Ibrahimaj.
Për TVSH-në në bujqësi, ministrja e cilësoi situatën aktuale si një problem të trashëguar nga mënyra e funksionimit të skemës së blerjes dhe shitjes. Sipas saj, një nga zgjidhjet që po shqyrtohet është përfshirja e të gjitha produkteve në skemë dhe më pas subvencionimi i TVSH-së.
Ndërsa për hidrokarburet, Ibrahimaj njoftoi se do të analizohet mekanizmi i funksionimit të Bordit të Transparencës, taksa e qarkullimit dhe marzhet e subjekteve që operojnë në treg. Ajo tha se do të rishikohet edhe formula mbi të cilën përcaktohen çmimet.
Debati në komision nxori në pah disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin e vitit 2027: mënyrën e mbështetjes së pensionistëve me të ardhura të ulëta, efektin real të masave për uljen e çmimeve dhe ndikimin e politikave fiskale te fermerët, prodhuesit dhe konsumatorët.