Politike
Pikepyetje per origjinen e 4 autobotëve të rinj/ Drejtori i Policisë: Zero lekë nga buxheti i shtetit
Origjina e autoboteve të ujit dhe dronëve të përdorur nga Policia e Shtetit gjatë protestave të fundit u kthye në objekt debati në Komisionin parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin 2027.
Deputeti Erald Kapri kërkoi nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të sqarojë se si janë siguruar pajisjet e reja, sa kanë kushtuar dhe nëse janë blerë apo janë vënë në dispozicion përmes ndonjë marrëveshjeje. Kapri përmendi katër autobote uji, dy të bardha dhe dy të zeza, si dhe dronët që, sipas tij, janë përdorur për hedhjen e bombolave me gaz lotsjellës gjatë protestave.
“Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? Në kaq ditë ka qenë e vështirë të bëni tender, pra janë dhuruar nga dikush. Nga kush janë dhuruar, se tashmë janë në inventarin e Policisë së Shtetit?”, pyeti deputeti.
Në përgjigje, Skënder Hita deklaroi se për automjetet e reja nuk është përdorur asnjë fond nga buxheti i shtetit. Ai sqaroi se pajisjet janë marrë në përdorim, por nuk janë dhuruar nga policitë partnere.
“Për automjetet e reja që posedon Policia e Shtetit është shpenzuar 0 lekë nga buxheti i shtetit që të kenë rënduar mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë”, tha Hita.
I pyetur drejtpërdrejt për origjinën e tyre, drejtori i Policisë u përgjigj: “Ato janë marrë në përdorim dhe nuk janë të dhuruara nga policitë partnere”.
Hita shtoi se Policia e Shtetit përdor pajisjet speciale, përfshirë autobotet, dronët dhe armët e tjera, në përputhje me ligjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave. Megjithatë, gjatë këtij shkëmbimi nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi institucionin që i ka vënë pajisjet në dispozicion, kohëzgjatjen e përdorimit apo dokumentacionin përkatës.
Përtej çështjes së pajisjeve, Kapri ngriti një sërë pyetjesh lidhur me ndërhyrjet e policisë gjatë protestave. Ai kërkoi informacion për hetimin mbi përdorimin e plumbave të gomës dhe dëmtimin e protestuesve, përfshirë rastet e përmendura prej tij të Ballës dhe Skanës. Deputeti kërkoi gjithashtu sqarime për zinxhirin e komandës dhe përgjegjësitë për ndërhyrjet policore.
Kapri përmendi edhe 62 raste shoqërimesh, të cilat, sipas tij, janë konsideruar të paligjshme nga gjykatat, si dhe kërkoi të dinte se kush kishte dhënë urdhrin për rrethimin e Kryeministrisë nga forcat RENEA.
Gjatë debatit pati edhe përplasje mes deputetëve. Xhaçka i kërkoi Kaprit të ruante qetësinë, ndërsa deputeti reagoi duke kundërshtuar ndërhyrjen. Nga ana tjetër, Arkend Balla e akuzoi atë se po promovonte dhunën ndaj Policisë së Shtetit.
“A jeni koshientë që keni shkatërruar të drejtën kushtetuese për të protestuar? Ju bëj thirrje që t’i thërrisni arsyes dhe t’i drejtoheni zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës, nuk jeni drejtor i policisë së Edi Ramës”, deklaroi Kapri.
Deputeti Bledi Çuçi, nga ana e tij, vlerësoi se sjellja e policisë gjatë protestave kishte qenë e balancuar dhe kërkoi informacion për mënyrën se si do të funksionojë trajtimi ushqimor i punonjësve të policisë gjatë vitit 2027.
Në përgjigjen e tij, Hita u ndal edhe te dëmtimet e efektivëve gjatë protestave. Ai tha se policia kishte qenë në ruajtje të institucioneve dhe ishte përballur me hedhjen e gurëve dhe sendeve të tjera. Për të mbështetur deklaratën, drejtori i Policisë paraqiti fotografi të punonjësve të lënduar, përfshirë efektivë me dëmtime në këmbë dhe në kokë.
Seanca dëgjimore u zhvillua në kuadër të shqyrtimit të buxhetit të Policisë së Shtetit për vitin 2027, por diskutimi u përqendrua edhe te mënyra e menaxhimit të protestave, përdorimi i pajisjeve speciale dhe përgjegjësia për ndërhyrjet policore.