✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Nga projekti Kushner te protestat, si e shpjegon Rama zemërimin qytetar

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris, duke e lidhur zemërimin fillestar të qytetarëve me projektin e investimit që lidhet me Jared Kushner.

I pyetur për ngjashmëritë mes protestave në Shqipëri, Itali dhe Francë, Rama tha se situata shqiptare ka veçoritë e saj. Ai bëri dallimin mes manifestimeve të fillimqershorit, ku sipas tij morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës për të shprehur shqetësimet e tyre, dhe protestave që pasuan.

Sipas kryeministrit, projekti i lidhur me Jared Kushner u bë shkak për zemërimin e një pjese të qytetarëve, ndërsa më vonë numri i protestuesve u zvogëlua dhe një pjesë e tubimeve u përshkallëzua në dhunë.

Rama i cilësoi të papranueshme aktet e dhunës, duke theksuar se ato nuk duhen ngatërruar me protestat e para dhe shqetësimet që u shprehën gjatë tyre.

Kreu i qeverisë e vendosi gjithashtu fenomenin e protestave në një kontekst më të gjerë europian, duke vënë në fokus ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë. Sipas tij, platformat digjitale po luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si të rinjtë marrin informacion, por edhe në përhapjen e keqinformimit dhe nxitjen e përshkallëzimit të protestave.

“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si një përplasje mes botës reale dhe medias sociale”, u shpreh Rama, duke shtuar se përshkallëzimi i dhunshëm nuk është i pranueshëm në një shoqëri demokratike.

Advertisement