Politike
Braçe sfidon: Unë e lë mandatin e deputetit nëse vërtetohet se Kroacia prodhon speca më të mirë se ne
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë të marrë masa për mbrojtjen e prodhimit vendas, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si trajtohen eksportet shqiptare në tregun kroat.
Duke iu referuar rasteve kur ngarkesa me fruta dhe perime shqiptare janë ndaluar në kufirin e Kroacisë për shkak të pranisë së pesticideve, Braçe u bëri thirrje eksportuesve që të shmangin këtë treg, madje edhe rieksportin përmes tij. Sipas deputetit, nuk ka leverdi ekonomike që produktet shqiptare të vijojnë të orientohen drejt Kroacisë, ndërsa ai e cilësoi trajtimin e tyre atje si abuziv.
Braçe ngriti gjithashtu pikëpyetje për kontrollet brenda Shqipërisë, duke kërkuar të bëhen analiza për produktet që ndalohen në kufi dhe të verifikohet nëse rezultatet përputhen me standardet e kërkuara. Ai kritikoi, sipas tij, mungesën e mbështetjes për prodhimin vendas dhe përmendi edhe mandarinat e pjeshkët si produkte që kërkojnë më shumë mbrojtje.
Megjithatë, deputeti theksoi se përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm institucioneve. Ai kërkoi që fermerët që nuk respektojnë periudhën e karencës pas përdorimit të pesticideve të përjashtohen nga tregu.
“Narrativen negative mbi prodhimin vendas nuk e kuptoj dot. Mënyra se si na trajtojnë në Kroaci është tërësisht abuzive, dhe nëse kam një thirrje sot për çdo eksportues shqiptar është që ta shmangë Kroacinë, ta shmangi.
Askush nuk është në krahun e prodhimit vendas, e njëjta gjë me mandarinat me pjeshkët etj. Duhet mbrojtur produktet. Bujku që nuk respekton karencën për pesticidet duhet të dalë nga tregu”, tha Braçe.