✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

‘Provimi i Shtetit, pas praktikës profesionale’/ Rama njofton rregullat e reja për mjekët e infermierët

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një ndryshim në procedurat e licencimit të profesionistëve të shëndetësisë, duke lehtësuar kalimin drejt Provimit të Shtetit pas përfundimit të praktikës profesionale.

Përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, profesionistët e rinj do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit menjëherë pas përfundimit të praktikës, pa pritur më vlerësimin paraprak nga Urdhrat Profesionalë.

Sipas Ramës, ndryshimi përfshin edhe ata që e kanë përfunduar praktikën profesionale, por kanë mbetur në pritje të procedurave të vlerësimit. Kryeministri thotë se synimi është shkurtimi i hallkave administrative, shmangia e përsëritjeve procedurale dhe përshpejtimi i përfshirjes së profesionistëve të rinj në sistemin shëndetësor.

Në reagimin e tij, Rama thekson se lehtësimi i procedurave duhet të shoqërohet me garantimin e cilësisë profesionale, integritetit dhe përgjegjësisë në shërbimin ndaj qytetarëve.

“Nga sot, përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, vjen një ndryshim i shumëpritur për profesionistët e shëndetësisë, i cili lehtëson fillimet e tyre në jetën profesionale, ku me përfundimin e praktikës profesionale, ata do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duke shmangur procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.

Me këtë akt lehtësues, nga i cili përfitojnë edhe ata që e kanë përfunduar praktikën, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit, synojmë të optimizojmë më tej mekanizmat e vlerësimit, duke u mbështetur në garantimin e cilësisë profesionale dhe shmangien e përsëritjeve procedurale duke nxitur profesionistët e rinj që t’i bashkohen sistemit shëndetësor me integritet e motivim, të kontribuojnë më shpejt dhe me më shumë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve”, shkruan kryeministri Edi Rama ne facebook.

 

Advertisement