Bota
“Kemi ardhur për t’ju shfarosur”/ E-maili që vuri në alarm Italinë, kërcënime për masakër në shkolla
Alarm për bombë në rreth 6 mijë shkolla në Itali, pas një vale e-mailesh kërcënuese që kanë mbërritur në institucionet arsimore të të gjitha niveleve. Mesazhet anonime përmbanin kërcënime për sulme me eksploziv dhe paralajmërime për atë që dërguesi e quante shfarosje të italianëve.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:00, kur në adresat elektronike të mijëra shkollave mbërriti një mesazh i nënshkruar nga një person që prezantohej si Mikhail Antropov, udhëheqës i një organizate të vetëshpallur me emrin “Vilayat i Misoginistanit”.
Në e-mail pretendohej se brenda ndërtesave shkollore ishte vendosur një eksploziv i fuqishëm, i fshehur në një qese plastike dhe i pajisur me aktivizim në distancë. Kërcënimet nuk përfundonin me shkollat, pasi autori pretendonte se kishte vendosur edhe një bombë në automjetin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Pas marrjes së mesazheve, Meloni thirri një mbledhje për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar sigurinë. Në disa institucione pati evakuime dhe momente paniku, ndërsa më vonë situata u kthye në normalitet. Autoritetet vijojnë verifikimet për të identifikuar autorin dhe për të përcaktuar nëse kërcënimet kishin ndonjë bazë reale.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Irlandën e Veriut, ku qindra shkolla kanë marrë mesazhe kërcënuese. Policia lokale ka bërë të ditur se në atë rast bëhej fjalë për një alarm të rremë.