Politike
Ndihma ekonomike si mjet për sigurimin e votave në Elbasan? 55 familje përjashtohen pas zgjedhjeve
Ndihma ekonomike në Elbasan dyshohet se është përdorur si instrument për sigurimin e votave në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Elbasanit, dhjetëra familje dyshohet se janë përfshirë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike me qëllim që të votonin për kandidaten e atëhershme, Sara Mila.
Një nga elementet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se, nga 60 familje të verifikuara në kuadër të hetimit, 55 prej tyre rezultojnë të jenë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike në muajt maj-qershor 2026, pra pas përfundimit të zgjedhjeve.
Sipas materialeve të administruara në dosje, dyshohet se punonjës të Shërbimit Social në Elbasan kanë rritur në mënyrë fiktive numrin e familjeve përfituese gjatë periudhës së fushatës zgjedhore. Hetimet kanë zbuluar se disa aplikime për ndihmë ekonomike janë kryer nga vetë punonjësit e institucionit, ndërsa një pjesë e personave të regjistruar si përfitues dyshohet se jetonin jashtë Shqipërisë, në emigracion.
Në dëshmitë e dhëna përpara prokurorëve, disa punonjës të Shërbimit Social kanë deklaruar se në mars të vitit 2025, pas nisjes së fushatës zgjedhore, drejtuesja e institucionit u kishte kërkuar të shtonin numrin e familjeve që përfitonin ndihmë ekonomike.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit janë komunikimet mes punonjësve dhe drejtuesve të institucionit, ku, sipas Prokurorisë, përmendet edhe emri i deputetes Sara Mila.
Në dosje theksohet se 55 nga 60 familjet e përfshira në kampionin e verifikimit janë përjashtuar nga skema në maj-qershor 2026. Përjashtimet kanë ndodhur në një periudhë kur prokuroria kishte nisur hetimet dhe kishte filluar të thërriste për deklarime persona me funksione shtetërore.
Prokuroria e Elbasanit ia ka përcjellë materialet SPAK-ut për të hetuar edhe rolin e mundshëm të deputetes Sara Mila në këtë çështje. Këtë të mërkurë, Mila u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku dha shpjegime lidhur me hetimin.
Pas daljes nga SPAK, deputetja deklaroi se po zhvillon një betejë për dinjitetin e saj dhe për t’i dhënë fund, sipas saj, sulmeve politike ndaj personit të saj. E pyetur nëse ndihma ekonomike ishte përdorur për të siguruar vota në favor të saj, ajo nuk dha një përgjigje konkrete, duke iu referuar sekretit hetimor.
Deri më tani, Sara Mila vijon të mbajë mandatin e deputetes. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse skema e ndihmës ekonomike është përdorur për qëllime elektorale, kush ka qenë përgjegjës për regjistrimin e familjeve dhe nëse ka pasur ndikim politik në vendimmarrjen e administratës.