Politike
Nga reformat ligjore te integrimi në BE/ Gogu kërkon forcimin e partneritetit me Italinë
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Romë, ku është takuar me homologun italian, Carlo Nordio. Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e drejtësisë, si dhe mbështetja për procesin e integrimit evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu bëri të ditur se gjatë takimit ka falënderuar homologun italian për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Shqipërisë, veçanërisht në përgatitjen e reformave ligjore dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministri vlerësoi gjithashtu kontributin e Italisë në hartimin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe të paketave të tjera legjislative, duke e cilësuar vendin fqinj si partner strategjik të Shqipërisë.
“Me Ministrin Nordio ndamë angazhimin për të konsoliduar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të tjera të drejtësisë”, theksoi Gogu.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin italian, ministri shqiptar zhvilloi edhe takime me përfaqësues të tjerë të institucioneve italiane. Ai u takua me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes, Maurizio Gasparri, bashkëpresidentin e Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, si dhe kryetarin e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Deputetëve, Ciro Maschio.
Sipas njoftimit, takimet synojnë konsolidimin e marrëdhënieve institucionale mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sektorin e drejtësisë.