Aktualitet
Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili, shkarkohen 4 inspektorë të AKU-së
Skandali me 27 tonë mish derri nga Brazili ka sjellë shkarkimin e katër inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm, pas konstatimit të shkeljeve në kontrollin e ngarkesës së importuar nga kompania KING-MIT.
Nga detyra është larguar një inspektor i pikës kufitare të AKU-së në Durrës, me inicialet L.B., si dhe tre inspektorë të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier, me inicialet E.T., K.K. dhe M.G.
Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektori në Durrës nuk kishte verifikuar plotësisht dokumentacionin e ngarkesës, stabilimentin e autorizuar për eksport dhe vërtetësinë e certifikatës, duke lejuar kalimin e saj në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Ndërkohë, tre inspektorët në Fier nuk kishin evidentuar të gjitha shkeljet e konstatuara dhe kishin vendosur një masë administrative që nuk përputhej me rëndësinë e tyre.
Por përgjegjësitë nuk ndalen vetëm te katër punonjësit e shkarkuar. Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së procedurave të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.
Hetimi administrativ synon të shqyrtojë dokumentacionin, veprimet e kryera dhe përgjegjësitë e të gjitha strukturave të përfshira. Inspektorati ka paralajmëruar masa ndaj çdo rasti neglizhence apo shkeljeje të procedurave, duke e cilësuar sigurinë ushqimore si një prioritet kryesor.